Inflacion rekord në Britani – Në 2.9%, në kërcënim konsumi dhe ekonomia

Norma e inflacionit në Britani ka rifituar vrullin, duke u rritur mbi pritshmëritë, me hapin më të shpejtë në 4 vite. Çmimet e konsumit gjatë majit u rritën kështu me 2.9%, që është edhe norma më e lartë që prej Qershorit të vitit 2013.
Norma bazë e inflacionit ndërkohë, që përjashton produktet me luhatshmëri të lartë, si energjinë, apo ushqimet e papërpunuara u ngjit në 2.6% , që është niveli më i lartë që prej Nëntorit të vitit 2012. Të dhënat janë tepër shqetësues, pasi rritja e shpejtë e inflacionit shikohet si problemi numër një për momentin në ekonominë britanike, që po kalon nëpërmjet procesit të Brexit dhe pasigurisë politike pas zgjedhjeve të së Dielës.
Inflacioni tashmë ka kaluar ndjeshëm edhe objektivin e Bankës së Anglisë, pranë por më poshtë se 2%. Rritja e pagave në vend është në stanjacion, dhe rritja e çmimeve të konsumit nga ana tjetër, pritet të dëmtojë rëndë konsumin. Inflacioni i shpejtë ka dhënë efekt në ekonomi, duke e ngadalësuar në një rritje prej vetëm 0.2% në tremujorin e parë.
Efekti pritet të shtohet edhe më. Paundi britanik u rrit lehtë kundrejt dollarit amerikan pas publikimit të të dhënave.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.