Inflacioni arrin në 1.9% – Rritet për herë të parë që nga qershori

Inflacioni për muajin tetor u rrit për herë të parë pas katër muajsh, duke dhënë shenjat e para të daljes nga cikli i papritur rënës që shënoi gjatë muajve të verës. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, inflacioni iu afrua kufirit të poshtëm të objektivit të Bankës Qendrore, duke arritur nivelin 1.9%, nga 1.6% që kishte qenë për shtatorin.
Në masën dërrmuese, rritja erdhi nga grupi i ushqimeve, ku inflacioni arriti në 4%, nga 3.5% që kishte qenë një muaj më parë. Shtrenjtimi ka ardhur kryesisht nga prodhimet e freskëta bujqësore, ku frutat janë shtrenjtuar me 15.5%, ndërsa zarzavatet me 13% me bazë vjetore.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia e inflacionit gjatë muajve të verës i detyrohej kryesisht faktorëve të ofertës, e lidhur me çmimet e lëndëve të para, por edhe me efektin e forcimit të lekut në kursin e këmbimit valutor.
Pritej që rënia e inflacionit të ishte kalimtare, por, pavarësisht nga kjo, goditja e verës i modifikoi në ulje projeksionet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin vjetor dhe për kthimin e tij në objektiv, në të ardhmen.
Në gjysmën e parë të këtij viti, Banka e Shqipërisë parashikonte një kthim të inflacionit pranë objektivit 3% në mesin e vitit 2018.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.