Inflacioni bie në 2.2%, rritja e Janarit konfirmohet e përkohshme

Inflacioni zbriti përsëri gjatë Shkurtit, duke konfirmuar natyrën e përkohshme të rritjes afër objektivit gjatë muajit Janar. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, norma vjetore e inflacionit ra në 2.2%, nga 2.8% që pati qenë për Janarin.
Rritja e inflacionit për janarin erdhi kryesisht për shkak shtrenjtimit të ushqimeve dhe karburanteve, përfshi këtu efektin e vendosjes së akcizës për gazin e lëngshëm që përdoret nga automjetet. Nëse efekti i karburanteve ka vazhduar edhe gjatë muajit shkurt, e reflektuar në rritje të mëtejshme të inflacionit për grupin “transporti”, inflacioni i çmimeve të ushqimeve është zbutur ndjeshëm krahasuar me janarin.
Për shkurtin, grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” regjistroi një inflacion 3.9%, nga niveli 5.8% që kishte qenë në janar. Kjo ulja pati qartësisht efektin e vet, duke sjellë një inflacion mesatar më të ulët për shkurtin. Gjithsesi, grupi i ushqimeve vazhdon të jetë kontribuuesi kryesor i formimit të inflacionit në ekonomi. Në veçanti, produktet e freskëta bujqësore vazhdojnë të kenë nivele të larta të inflacionit vjetor.
Për sa i takon grupmallrave të tjerë, inflacioni vazhdon të jetë në vlera modeste. Grupi “veshje dhe këpucë” për shkurtin u kthye në vlera negative të inflacionit, pasi kishte qenë në rritje pozitive për katër muajt e mëparshëm. Ndonëse vlerësohet se ekonomia dhe kërkesa e brendshme janë në një rrugë të qëndrueshme përmirësimi, kthimi i qëndrueshëm i inflacionit pranë objektivit do të kërkojë ende kohë. Banka e Shqipërisë pret që kjo të ndodhë në gjysmën e parë të vitit 2018.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.