Inflacioni i harmonizuar bie në 2.4%, niveli më i ulët i 2017
Rritja e çmimeve të konsumit për nëntorin u ngadalësua edhe sipas indeksit të harmonizuar me vendet e Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për muajin nëntor ndryshimi vjetor i indeksit zbriti në 2.4%, në rënie të mëtejshme nga niveli 3.2% i tetorit.
Rritja ka prekur vlerën më të ulët që nga janari 2017, kur Instat nisi ta llogarisë për herë të parë.
Sidoqoftë, rritja e çmimeve në Shqipëri ngelet më e lartë krahasuar me nivelin mesatar prej 1.7% i vendeve të Bashkimit Europian. Inflacioni i harmonizuar gjithashtu vazhdon të jetë më i lartë në raport me indeksin e brendshëm të çmimeve të konsumit, i cili paraqet dhe normën zyrtare të inflacionit.
Ky tregues për nëntorin zbriti sërish, në nivelin 1.7%. Megjithatë, të dy treguesit në muajt e fundit kanë një tendencë të luhatshme, çka, sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, i detyrohet faktorëve të ofertës dhe kryesisht çmimeve të ulëta të lëndëve të para.
Kontributin dërrmues në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit në Shqipëri edhe për gushtin e dha grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, me 2.33 pikë përqindjeje, nga 2.4% që ishte rritja totale.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndryshe nga indeksi i çmimeve të konsumit, që mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.