Inflacioni i harmonizuar – Çmimet e ushqimeve e mbajnë të lartë

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit lehtë gjatë muajit shtator. Sipas Institutit të Statistikave, ky tregues u rrit në 2.7%, nga 2.5% që kishte qenë për gushtin.
Inflacioni i harmonizuar vazhdon të jetë më i lartë në raport me normën e brendshme të inflacionit, që edhe për shtatorin qëndroi në 1.6%, niveli më i ulët i këtij viti.
Në pjesën dërrmuese, rritja e indeksit të harmonizuar ngelet mjaft e përqendruar në grupin e ushqimeve. Indeksi i këtij grupi u rrit 6.7% me bazë vjetore krahasimi gjatë muajit shtator.
Të tjera grupe që dhanë një kontribut në rritje, sado modest, ishin qiraja dhe shërbimi dhe arsimor.
Inflacioni harmonizuar në Shqipëri ngelet më i lartë krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, që për shtatorin ishte 1.8%. Të vetmet vende të Unionit që kanë rritje çmimesh më të lartë se Shqipëria janë tre shtetet Baltike.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndryshe nga indeksi i çmimeve të konsumit, që mbulon vetëm shpenzimet private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.