Inflacioni i harmonizuar – 1.4% për marsin, bie poshtë mesatares së BE
Zbutja e inflacionit në çmimet e ushqimeve ka bërë që indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit të bjerë sërish në muajin mars. Sipas të dhënave nga Instat, për marsin indeksi i harmonizuar u rrit me 1.4%.
Kjo është rritja më e ulët e regjistruar ndonjëherë që nga janari 2017, kur Instat nisi ta llogarisë për herë të parë. Për të dytin muaji radhazi indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit rritet më pak se indeksi i brendshëm, që përfaqëson edhe normën zyrtare të inflacionit.
Për muajin mars, norma vjetore e inflacionit kishte qenë 2%. Njëkohësisht, rritja e indeksit të harmonizuar i çmimeve për herë të parë ka zbritur poshtë mesatares së Bashkimit Europian, që për marsin ishte 1.5%.
Grupi i ushqimeve ngelet elementi me ndikimin kryesor në ecurinë e indeksit të harmonizuar të çmimeve, edhe për shkak të peshës më të lartë specifike. Për marsin, rritja e çmimeve në këtë grup ishte 2.5%.
Ndonëse ngelet grupi me rritjen më të lartë të çmimeve, rritja ka një tendencë në zbritje gjatë muajve të fundit, çka po ndikon në nivele më të ulëta të indeksit agregat të harmonizuar.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndryshe nga indeksi i çmimeve të konsumit, që mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.