“Inflacioni i harmonizuar”, INSTAT e publikon për herë të parë
Instituti i Statistikave publikoi për herë të parë të mërkurën indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit. Ky produkt statistikor synon të japë ecurinë krahasuese të çmimeve me pakicë mes vendeve europiane. Për muajin janar, ndryshimi vjetor i indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit rezultoi 4%.
Sipas shpjegimeve metodologjike të INSTAT, ky indeks mbulon të gjitha shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, përfshirë familjet private dhe institucionale, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jo-rezidentë. Ndërkohë, në indeksin e çmimeve të konsumit, mbulohen vetëm shpenzimet e familjare private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë territorit të vendit. Vlen të theksohet se norma zyrtare e inflacionit do të mbetet ajo që i referohet ndryshimit vjetor në indeksin e çmimeve të konsumit dhe që për janarin ishte 2.8%.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit llogaritet kryesisht në funksion të krahasimit në ndryshimin e çmimeve mes vendeve të ndryshme europiane dhe është një hap i ndërmarrë nga INSTAT në kuadër të përafrimit të statistikave me standardet komunitare. Shqipëria për janarin regjistroi një ndryshim vjetor prej 4%, shumë më i lartë se niveli mesatar prej 1.8% i 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Megjithatë, rritja më e lartë në indeksin e harmonizuar të çmimeve i detyrohet kryesisht faktorëve të përkohshëm. Sipas INSTAT, pjesën dërrmuese të kontributit në rritje e dha grupi i ushqimeve dhe pijeve, me 3.25 pikë përqindje, ndërsa 0.19% ishte ndikimi i grupit të karburanteve.
Shtrenjtimi i ushqimeve i detyrohet valës së pazakontë të të ftohtit që preku vendin, ndërsa ai i karburanteve rritjes së çmimeve të naftës bruto dhe shkak të vendosjes së akcizës mbi gazin e lëngshëm.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.