Inflacioni i lartë në Turqi – Qeveria ofron fruta e perime me gjysmë çmimi
Qeveria turke ka hapur tezga për të shitur perime dhe fruta të lira, në 2 prej qyteteve më të mëdha, ndërkohë që vendi po përballet me inflacionin e lartë.
Sipas Institutit turk të Statistikave, inflacioni vjetor në Janar arriti në 20.35% dhe rritja më e madhe e çmimeve rezultoi te ushqimet, në rritje me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Në përpjekje për të luftuar inflacionin, qeveria turke ka nisur një iniciativë për të mbështetur njerëzit që po hasin vështirësi me çmimet e ushqimeve.
Bashkitë në Stamboll dhe në Ankara, kanë hapur dhjetëra tezga të perimeve që shesin produkte me gjysmë çmimi krahasuar me shitësit me pakicë. Shumica e qytetarëve e përkrahën këtë lëvizje, pavarësisht radhës së madhe dhe limiteve se sa një person mund të blejë. “Po ndikon me të vërtetë. Çdo gjë është shumë e shtrenjtë”, -tha një banor në Stamboll. Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan ka fajësuar rritjen e madhe të çmimit nga ndërmjetësit dhe e ka quajtur këtë veprim një formë terrorizmi, duke premtuar se Qeveria e tij do të trajtojë këto persona me të njëjtën mënyrë që trajton terroristët.
Pas një hetimi të fundit, Ministria e Tregtisë gjobiti 88 kompani me një total prej 380 mijë dollarë. Megjithatë, jo të gjithë janë të kënaqur me veprimet e Qeverisë. Sipas një banori në Stamboll, këto janë masa të përkohshme dhe nuk trajtojnë zanafillën e problemit duke mbështetur fermerët. Disa kritikë thonë se lëvizja është motivuar politikisht, përpara zgjedhjeve bashkiake në 31 Mars. Rritja e fortë e ekonomisë turke ka qenë diçka pozitive për Qeverinë në dekadën e fundit.
Megjithatë, ndërkohë që inflacioni po rritet dhe populli po e ndjen ndikimin, pritet të shihet një reflektim në zgjedhjet në Pranverë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.