Inflacioni i qëndrueshëm – Për të gjashtin muaj radhazi qëndron sipër nivelit 2%
Inflacioni ra lehtë për muajin korrik, megjithatë qëndroi për të gjashtin muaj radhazi sipër intervalit të poshtëm të objektivit të Bankës Qendrore. Sipas Institutit të Statistikave, inflacioni gjatë korrikut rezultoi 2.3%, nga 2.4% që kishte qenë për muajin qershor.
Grupet me peshën kryesore në inflacion, si ai i ushqimeve dhe ai që përfshin ujin, energjinë dhe lëndët djegëse, pësuan një rënie të lehtë të inflacionit, që rezultoi përcaktuese në vlerat agregate të këtij treguesi. Ndërkohë, një rritje e lehtë u regjistrua në inflacionin e grupit të transportit, e lidhur me shtrenjtimin e karburanteve.
Inflacioni këtë vit po jep më në fund sinjale të qëndrueshme rritjeje. Ndonëse procesi i rikthimit në objektiv ka rezultuar më i ngadaltë se parashikimet, ashtu si pothuajse në të gjithë Europën, Banka e Shqipërisë pret që objektivi prej 3% të arrihet brenda vitit 2020.
Një faktor që e ka frenuar rritjen e inflacionit gjatë pjesës së parë të këtij viti ka qenë mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit valutor, sidomos ndaj euros. Për të frenuar këtë mbiçmim, Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në nivelin minimal historik prej 1%, ndërsa nisi paralelisht operacionet e blerjes së valutës.
Ndërhyrja ka rezultuar efikase për të frenuar forcimin e mëtejshëm të lekut ndaj euros, ndërkohë, edhe ecuria e inflacionit në muajt e fundit duket inkurajuese drejt përmbushjes së objektivit të Bankës së Shqipërisë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.