Inflacioni i importuar – Studimi i BSH: Ka kontribut modest
Inflacioni i importuar ka një ndikim më modest se mendohej në nivelin e përgjithshëm të çmimeve të mallrave të konsumit.
Sipas një studimi nga Enian Çela dhe Lorena Skufi, specialistë në Departamentin e Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, trysnitë e inflacionit të brendshëm mbizotërojnë në formimin e inflacionit të përgjithshëm në ekonomi.
Studimi merr në vlerësim kontributin e inflacionit të importuar të lidhur me 8 kategori mallrash konsumi ndaj inflacionit të përgjithshëm. Kontributi i brendshëm është mbizotërues pothuaj në të gjitha rastet dhe vitet.
Efekti i brendshëm është më i fuqishëm në rastin e ushqimeve dhe pijeve, farmaceutikeve, gazetave, librave dhe artikujve shkollorë, duhanit, veshjeve dhe veshjeve të këmbëve.
Vetëm në rastin e artikujve të kujdesit personal dhe mobiljeve, ndikimi i importuar tenton të jetë mbizotërues në vite të caktuara.
Megjithatë, sipas autorëve, analiza përqendrohet mbi kontributet direkte që lidhen me shportën konsumatore dhe nuk përfshin ndikime të ardhura nga kanale të tërthorta, si për shembull inflacioni i ofertës.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.