Inflacioni larg objektivit – Villeroy: BQE të vazhdojë me politikat lehtësuese
Banka Qendrore Europiane ka bërë progres të ndjeshëm në nxitjen e normës së inflacionit drejt objektivit të saj afatmesëm, pranë dhe më poshtë se 2%.
Por, nga ana tjetër politikat monetare lehtësuese janë ende të nevojshme, deklaroi anëtari i bordit drejtues të bankës, Francois Villeroy de Galhau, njëkohësisht guvernatori i Bankës Qendrore të Francës.
Këto deklarata, ai i bëri gjatë komisionit të financave në dhomën e ulët të parlamentit francez. Sipas tij, Banka Qendrore Europiane e ka larguar rrezikun e deflacionit, paçka se, inflacioni vijon të mbetet ende larg objektivit të bankës.
“Ne kemi bërë progres, por ende nuk e kemi arritur objektivin, kështu që ka ende nevojë dhe hapësirë për politikat tona akomoduese”, shtoi Villeroy.
“Ne po e adaptojmë intensitetin e këtyre politikave në varësi të situatës ekonomisë dhe progresit drejt objektivit”, shtoi ai.
Këto deklarata vijnë në një kohë që debati mbi të ardhmen e politikave monetare dhe programit të lehtësimit sasior në shkallë të gjerë ka prekur kulmin.
Disa vende, me në krye Gjermaninë, kërkojnë medoemos normalizimin e politikave monetare, ndërkohë që pjesa tjetër, që mbështet Mario Draghin, kërkon kujdes. Banka, me shumë gjasa, do të sinjalizojë shumë shpejt ndërhyrjen e radhës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.