Inflacioni lëviz sipas BQE – Eurostat: Ngadalësohet në 2% gjatë Nëntorit
Inflacioni në Eurozonë është ngadalësuar si ç’ pritej gjatë Nëntorit, ndërsa treguesi bazë rezultoi poshtë pritshmërive të tregjeve, duke mbështetur perspektivën e Bankës Qendrore Europiane për një përfundim të kujdesshëm të stimujve monetarë.
Çmimet e konsumit në 19 vendet e valutës së përbashkët u rritën me 2% me bazë vjetore në Nëntor, pas normës më të lartë në 6 vite prej 2.2% në Tetor, sipas agjencisë së Statistikave të Bashkimit Europian, Eurostat.
Inflacioni ka qenë pranë nivelit objektiv të institucionit në Frankfurt prej 2% për disa muaj me radhë, por banka ka hedhur poshtë rrezikun e tejkalimit të atij niveli, duke argumentuar se tendenca qëndron e dobët dhe vetëm kostot e energjisë po nxisin çmimet.
Eurostat e mbështeti këtë gjë, duke bërë të ditur se çmimet e energjisë u rritën me 9.1% me bazë vjetore gjatë Nëntorit, krahasuar me 10.7% në Tetor. Çmimet e ushqimeve të papërpunuara u rritën me 1.8%, nga 2.1% rritje që u regjistrua muajin e kaluar.
Inflacioni bazë, që përjashton këto komponentë të luhatur dhe që ndiqet nga Banka Qendrore Europiane, ra gjithashtu në 1.1% nga 1.2% që ishte në Tetor. Një tjetër tregues që ndiqet nga ekonomistët, që përjashton të gjithë çmimet e ushqimeve, energjisë, alkoolit dhe duhanit, ra në 1%.
Banka Qendrore Europiane planifikon ende që të përfundojë programin e stimujve prej 2.6 trilionë euro në Dhjetor, duke argumentuar se inflacioni është drejt rritjes dhe ekonomia e Eurozonës do të vazhdojë këtë ritëm pa nevojën e stimujve monetarë.
Megjithatë, institucioni ka premtuar se do të mbajë bilancin e fryrë prej vitesh dhe se normat e interesit do të qëndrojnë në nivel rekord të ulët deri në verën e ardhshme. Banka do të zhvillojë takimin e politikave monetare më datë 13 Dhjetor dhe investitorët presin që të konfirmojë qasjen ndaj politikave monetare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.