Inflacioni mbetet i ulët në 1,6% – Vetëm ushqimet ndikojnë në rritje

Indeksi i çmimeve të Konsumit edhe gjatë muajit Shtator 2017 mbeti i pandryshuar në 1,6%, normën më të ulët të vitit 2017. Një vit më parë ndryshimi nga muaji në muaj ishte 1,8%, çka konfirmon tendencën rënëse.
Ashtu si në muajt paraardhës, ndikim kryesor në rritje e ka patur grupi i “ushqime dhe pije joalkoolike”, me 1.34 pikë përqindje. Në vetvete çmimet për këtë grup nga viti në vit janë rritur me 3,5%, duke shënuar edhe një përmirësim ndaj muajit Gusht.
Një ndikim pozitiv ka patur edhe grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” duke kontribuar me 0,22 pikë përqindje. Përgjatë muajve të fundit, çmimet në këtë grup kanë qenë të pandryshuara.
Ndërkohë, të gjitha grupet e tjera të mallrave apo shërbimeve të konsumit kanë shënuar një luhatje vjetore të papërfillshme, ndërsa grupet “Veshje dhe këpucë”, si dhe “Mobilje, pajisjes shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë shënuar rënie, duke kontribuar negativisht me përkatësisht -0,06 dhe -0,05 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin Gusht 2017 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Veshje dhe këpucë” me 2,4 %, pasuar nga grupi “Argëtim dhe kulturë” me 2,2 %, “Ushqime dhe pije jo alkoolike” me 0,5 %, etj.
Ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Shëndeti” dhe “Mobilje, paisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me nga 0,1 % secili.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.