Inflacioni në 2.1% – Frenojnë çmimet e perimeve dhe veshjeve
Inflacioni ra përsëri lehtë gjatë muajit shtator, për të tretin muaj radhazi. Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i çmimeve të konsumit shënoi rritje vjetore me 2.1%, nga 2.2 % që kishte qenë rritja për muajin gusht.
Inflacioni ra i ndikuar sidomos nga grupi i ushqimeve dhe i veshjeve, megjithatë, ngelet në nivele më të larta krahasuar me vitin e kaluar, kur ishte në nivelin 1.6%. Shtrenjtimi i ushqimeve gjatë muajit shtator ishte më i kufizuar, me 2.6%, nga 2.8% për gushtin.
Rritjen më të lartë të çmimeve këtë vit po e regjistrojnë perimet, me një inflacion dyshifror në vazhdimësi. Megjithatë, në shtator inflacioni i këtij nëngrupi ra në 14.8% nga 18.6% që kishte qenë për gushtin.
Kjo ndikoi në rënie të inflacionit për grupin e ushqimeve dhe për vlerat agregate të këtij treguesi. Inflacioni edhe për grupin “veshje dhe këpucë” në 0.6%, nga 2.4% që kishte qenë një muaj më parë.
Megjithëse në muajt e fundit luhatjet e inflacionit ka qenë minimale, rikthimi i tij drejt nivelit të synuar prej 3% do të kërkojë kohë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo nuk pritet të ndodhë para vitit 2020. Për momentin, pozitiv në optikën e përmbushjes së këtij objektivi është fakti se inflacioni po qëndron sipër 2%, që është edhe kufiri i poshtëm i intervalit.
Banka e Shqipërisë vlerëson se leku i fortë në kursin e këmbimit valutor është një faktor që do të vazhdojë të ketë një farë ndikimi edhe gjatë muajve në vazhdim.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.