Inflacioni në 2% – Shtrenjtohen ushqimet, frenon karburanti

Inflacioni për muajin maj u rrit lehtë në 2%, pasi kishte pësuar rënie për tre muaj radhazi. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, luhatja e lehtë nga niveli 1.9% i muajit prill tregon se inflacioni ka gjetur një lloj stabiliteti pranë kufirit të poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë.
Në një afat më të gjatë krahasimi, inflacioni ka një tendencë të qartë në rritje, po të kemi parasysh se një vit më parë ishte në nivelin 0.7%. Kontributin kryesor në inflacion vazhdon ta japë grupi i ushqimeve, që për muajin maj regjistroi një rritje të inflacionit në 3.8%, nga 3% që kishte qenë për muajin prill.
Produktet me rritjen më të lartë të çmimeve krahasuar me një vit më parë janë frutat zarzavatet, sheqeri, vezët dhe prodhimet e bulmetit. Shtrenjtimi i produkteve ushqimore, megjithatë, u balancua nga zbutja në grupin “Transporti”, ku inflacioni ra në 2.6%, nga 4.3% që kishte qenë në muajin prill.
Rënia e inflacionit në këtë grup i detyrohet kryesisht një rënieje të lehtë të çmimeve të shitjes me pakicë të karburanteve. Në parashikimin e saj të fundit, Banka e Shqipërisë pret që inflacioni për këtë vit të jetë në nivelin 2.3%, në rritje të ndjeshme nga niveli prej 1.3% i regjistruar në vitin e kaluar.
Rritja graduale e inflacionit po mbështetet nga rimëkëmbja e kërkesës së brendshme, por edhe nga përmirësimet në mjedisin e jashtëm ekonomik, që përcillen në çmime më të larta të lëndëve të para dhe rritje të inflacionit të importuar.
Sidoqoftë, një faktor që po jep efekt të kundërt në inflacion është forcimi i lekut kundrejt valutave kryesore dhe veçanërisht ndaj euros. Mbiçmimi i lekut ndaj euros zbut presionet e rritjes së çmimeve nga mallrat e importit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.