Inflacioni në Britani kalon 3% – Detyron Carney që t’i japë shpjegim ministrit të financave

Inflacioni në Britani është rritur në nivelin më të lartë në 6 vite gjatë Nëntorit, duke thelluar tkurrjen e të ardhurave te ekonomitë familjare. Inflacioni u rrit me një normë vjetore prej 3.1% në Nëntor, nxitur nga udhëtimet ajrore, lojërat kompjuterike dhe çmimet e ushqimeve. Norma ishte sipër projeksioneve të ekonomistëve dhe rritjes me 3% në muajin Tetor.
Tashmë që inflacioni është më shumë se 1% sipër objektivit të Bankës së Anglisë, Guvernatori Mark Carney do të duhet të njoftojë ministrin e Financave Philip Hammond, mbi veprimet që do të ndërmarrë institucioni.
Edhe pse ekonomia e Britanisë është ngadalësuar këtë vit, duke mbetur pas Eurozonës, Banka e Anglisë rriti normën bazë të interesit për të parën herë në një dekadë gjatë muajit të kaluar. Institucioni deklaroi se niveli i çmimeve do të arrijë majën në muajin Tetor dhe pastaj do të ndjekë trajektoren rënëse, duke prekur nivelin objektiv prej 2% brenda 3 viteve të ardhshme.
Banka e Anglisë pritet të mos ndërhyjë në takimin e kësaj jave, ndërsa politikëbërësit presin të dhënat mbi rritjen e pagave. Ndërkohë që inflacioni është rritur bindshëm pas referendumit të daljes nga BE, pagat kanë pasur një rritje më të ngadaltë. Në muajin Qershor, përpara votimit për daljen, inflacioni qëndronte në 0.5%. Zyra e Statistikave deklaroi se komponentët që kontribuuan në rritjen e çmimeve ishin udhëtimet ajrore dhe lojërat kompjuterike.
Të dhënat e kësaj jave treguan se fabrikat kanë ndjerë një rritje të presioneve në çmime, kryesisht prej çmimeve të naftës. Zyra e Statistikave bëri të ditur se çmimet e shtëpive për Tetorin u rritën me 4.5% me bazë vjetore në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, krahasuar me një rritje prej 4.8% në Shtator.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.