Inflacioni në Britani – Qëndron në 3% për Tetorin, poshtë projeksioneve
Inflacioni në Britani qëndroi në nivelet më të larta në 5 vite e gjysmë për Tetorin, megjithatë, nuk rezultoi në linjë me pritshmëritë e Bankës së Anglisë për një rritje të mëtejshme. Niveli i çmimeve të konsumit u rrit me 3% në muajin Tetor, raporton zyra kombëtare e Statistikave, poshtë projeksioneve për 3.1% dhe me të njëjtën normë që ishte në Shtator.
Banka e Anglisë deklaroi këtë muaj, pasi rriti normën bazë të interesit për të parën herë në një dekadë, se inflacioni do të arrijë një rekord prej 3.2% në Tetor, e më pas do të bjerë drejt objektivit prej 2% në një periudhë tre vjeçare. Të dhënat shtojnë dyshimet e ekonomistëve mbi vendimin e Bankës së Anglisë për të rritur normën e interesit në një kohë të ngadalësimit ekonomik.
Guvernatori Mark Carney ka thënë se tejkalimi i objektivit prej 2% të inflacionit vjen prej rënies me më shumë se 10% të paundit që prej daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, gjë që rriti çmimin e mallrave të importit. Zyra e Statistikave raportoi se norma e qëndrueshme për Tetorin erdhi prej rënies së çmimit në karburante dhe rritjes së çmimit të ushqimit.
Shume ekonomistë e kritikuan vendimin e Bankës së Anglisë më herët gjatë këtij muaj. Sipas tyre, inflacioni është drejt rënies, ndërkohë që ndikimi nga rënia e paundit pritet të kalojë dhe ndërsa rritja e ngadaltë e ekonomisë nuk ka gjasa të sjellë presione te niveli i çmimeve.
Megjithatë, Banka Qendrore bëri të ditur se dalja nga Bashkimi Europian do të cenojë aftësinë e ekonomisë britanike për t’u rritur si më parë, pa gjeneruar inflacion të tepërt.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.