Inflacioni në Eurozonë – Bie ndjeshëm në Maj. Shton problemet për BQE
Inflacioni në Eurozonë u ngadalësua më shumë se sa pritej muajin e kaluar, duke shtuar problemet për Bankën Qendrore Europiane. Indeksi i çmimeve në 19 vendet që ndajnë euron ra në 1.2% në Maj, nga 1.7% që ishte në Prill, duke përmbysur rritjen e njëhershme që erdhi nga Pashkët.
Një tjetër sinjal shqetësues ishte treguesi që përjashton çmimet e luhatura të ushqimeve dhe energjisë, që ra në 1% nga 1.4%. Banka Qendrore Europiane ka për objektiv të arrijë një nivel të çmimeve prej pranë 2%-shit, por ka dështuar ta prekë këtë që prej vitit 2013.
Takimi i fundit i institucionit tregoi shqetësime te politikëbërësit për rënien e pritshmërive të inflacionit, çka shton presionin për më shumë stimuj monetarë. Bankës i ka “shteruar” kapaciteti, ndërkohë që nuk mund të ofrojë masa si blerje gjigante të titujve të borxhit apo ulje të normave të interesit.
Lëvizja e radhës e Bankës Qendrore Europiane do të jetë ofrimi i kredive të lira drejt bankave tregtare, për të siguruar fluksin e kreditit në ekonominë reale. Ekonomia e Eurozonës po përballet me shumë sfida.
Lufta tregtare po dëmton besimin e investitorëve, Italia ndodhet përsëri në konflikt me Komisionin Europian, industria gjermane vazhdon të tkurret dhe kërcënimi i Brexit pa marrëveshje është shtuar. Tregjet vonuan pritshmëritë për rritje të normës bazë të interesit në vitin 2021.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.