Inflacioni në Eurozonë – Ngadalësohet në 1.4% në Maj, norma e papunësisë bie në 9.3%

Çmimet e konsumit në Eurozonë u ngadalësuan poshtë projeksioneve në muajin Maj, tregon zyra e statistikave e Bashkimit Europian.
Kjo erdhi kryesisht prej rritjes së ngadaltë të çmimeve të energjisë dhe produkteve ushqimore. Eurostat deklaroi se inflacioni në 19 vendet e valutës së përbashkët u ngadalësua në 1.4% me bazë vjetore, nga 1.9% që ishte në muajin Prill dhe poshtë projeksioneve prej 1.5%.
Masa që përjashton komponentët e luhatur të energjisë dhe produkteve ushqimore, apo inflacioni bazë, ra në 1%, nga 1.2% që ishte një muaj me parë, në linjë me projeksionet e ekonomistëve.
Çmimet e energjisë u rritën me 4.6% në muajin Maj, krahasuar me 7.6% rritje një muaj më parë. Kostot e ushqimit të papërpunuar rezultuan në rritje me 1.6% me bazë vjetore, krahasuar me 2.2% rritje në Prill.
Banka Qendrore Europiane synon që niveli i çmimeve të jetë pranë, por poshtë 2%-shit në terma afat-mesëm. Për të arritur këtë objektiv, institucioni ka blerë 60 miliardë euro tituj borxhi çdo muaj, që të injektojë para në ekonomi dhe nxisë çmimet.
Eurostat raportoi gjithashtu se norma e papunësisë në Eurozonë ra në nivelin më të ulët në 8 vite, duke shënuar 9.3%, nga 9.4% që ishte në muajin e kaluar.
Eurostat vlerësoi se 15.04 milionë individë qëndronin të papunë në Eurozonë në muajin Prill, shifër që ra me 253 mijë nga muaji Mars. Norma më e ulët e papunësisë u regjistrua në Republikën çeke, me 3.2%, ndjekur nga Gjermania me 3.9%, ndërsa niveli më i lartë vazhdon të jetë në Greqi, me 23.2%, ndjekur nga Spanja me 17.8%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.