Inflacioni në Eurozonë – Shënon 1.3% në Qershor, treguesi bazë rritet në favor të BQE

Inflacioni në 19 vendet e valutës së përbashkët u regjistrua në 1.3% për Qershorin, në rënie nga 1.4% që ishte në Maj, por sipër projeksioneve prej 1.2%, raporton zyra e Statistikave e Bashkimit Europian.
Inflacioni bazë pati rritje, duke sjellë lehtësim për Bankën Qendrore Europiane. Norma që përjashton çmimet e luhatura të energjisë dhe ushqimeve të papërpunuara, që është treguesi kryesor për politikëbërësit, u rrit në 1.2% në Qershor nga 1.0% që ishte një muaj më parë. Komponentët që kontribuuan në rritjen e nivelit të çmimeve ishin energjia me 1.9%, ndjekur nga shërbimet me 1.6%, tregon Eurostat.
Duke luftuar çmimet e ulëta, BQE ka ofruar stimuj të jashtëzakonshëm monetar, me blerje gjigante të aktiveve dhe uljen e normave të interesit poshtë zeros. Megjithatë, ndërsa rritja ekonomike po rifiton vrull, Presidenti i Institucionit në Frankfurt, Mario Draghi tha më herët gjatë javës se kushtet më të mira ekonomike mund të sjellin gradualisht normalizimin e politikave monetare.
Vendimi nëse do të zgjerohet apo përfundojë programi i blerjes prej 2.3 trilionë euro, pritet në muajin Shtator. Një barrë për BQE mbetet rritja e ngadaltë e pagave, që u ngadalësua në 1.4% në tremujorin e parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.