Inflacioni në Japoni shënon muajin e katërt radhazi të rritjes, por qëndron larg objektivit
Çmimet bazë të konsumit në Japoni u rritën me 0.3% në muajin Prill me bazë vjetore, duke shënuar muajin e katërt radhazi të rritjes.
Kjo ofron pak lehtësi te politikëbërësit, ndërkohë që rritja e qëndrueshme ekonomike mund të bindë konsumatorët që të shpenzojnë më shumë.
Rritja e muajit Prill erdhi kryesisht prej rimëkëmbjes së çmimeve të energjisë, duke vënë në dukje sfidat që Banka e Japonisë përballet ende për të arritur objektivin e inflacionit prej 2%.
Duke hequr efektet e energjisë dhe komponentëve të luhatur ushqimorë, çmimet e konsumit mbetën të pandryshuar për muajin Prill.
Ekonomistët thonë se shitësit me pakicë po ngurojnë të rrisin çmimet për shkak se të ardhurat e ekonomive familjare nuk kanë pasur rritje.
Sipas tyre, cikli pozitiv i ekonomisë nuk ka nisur ende, duke bërë që Banka e Japonisë të vazhdojë të mbështetet te politikat lehtësuese monetare.
Ndërkohë që ekonomia tregon shenja të rifuqizimit, analistët presin që Banka Qendrore të reduktojë masën e blerjeve në treg të hapur.
Ekonomia e tretë më e madhe në botë u rrit në tremujorin e parë me normën më të lartë në një vit, duke shënuar periudhën më të gjatë të rritjes në 1 dekadë, falë eksporteve të forta dhe rritjes së konsumit privat.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.