Inflacioni në Rusi, niveli më i lartë që nga 2002 – Arrin në 17,62%, çka mund të detyrojë Bankën Qendrore të ulë normat e interesit

Inflacioni me bazë vjetore në Rusi u përshpejtua në 17.62% që nga 15 prilli, më i larti që nga fillimi i vitit 2002 dhe nga 17.49% një javë më parë, deklaroi Ministria e Ekonomisë, pasi rubla e paqëndrueshme bëri që çmimet të rriteshin mes sanksioneve perëndimore.
Çmimet, që nga perimet dhe sheqeri, te rrobat dhe telefonat inteligjentë, janë rritur ndjeshëm javët e fundit pasi Rusia më 24 shkurt filloi atë që e quan “një operacion special ushtarak” në Ukrainë.
Por inflacioni javor u ngadalësua pas një rritjeje të madhe në javët e fundit, treguan të dhënat nga shërbimi statistikor Rosstat, duke i dhënë mundësinë Bankës Qendrore për të konsideruar uljen e normave të interesit në mbledhjen e bordit të saj më 29 prill. Banka Qendrore ka deklaruar se mund të ulë normën bazë të interesit nga 17% në mbledhjet e ardhshme të bordit.
Inflacioni javor në Rusi u ngadalësua në 0.2% në javën deri më 15 prill, nga 0.66% një javë më parë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, çmimet e konsumit u rritën me 2.72%.
Inflacioni mund të arrijë midis 17% dhe 20% këtë vit, deklaroi javën e kaluar Alexei Kudrin, kreu i dhomës së auditimit të Rusisë. Analistët e anketuar nga Reuters në fund të marsit kishin parashikuar mesatarisht se inflacioni i vitit 2022 do të përshpejtohej në 23.7%, më i larti që nga viti 1999.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.