Inflacioni ngjitet në 1.9% – Shifrat e prillit, ushqimet me rritjen më të madhe, shtrenjtohen me 4.5%

Norma e inflacionit gjatë muajit prill është rritur pranë nivelit të 1.9%, nga 1.2% që ishte gjatë muajit mars, si dhe në të njëjtat nivele me të njëjtën periudhë të një viti më parë, tregojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave. Në terma mujorë ndërkohë, pra krahasuar me marsin, çmimet e konsumit regjistrohen në rritje me 0.2%, tregojnë shifrat.
Sa i përket ndikimit të grupeve kryesore në normën e inflacionit gjatë prillit, “Ushqime dhe pije joalkoolike” kanë dhënë kontributin kryesor, me +1,51pikë përqindje, pasuar nga grupi “Komunikimi” me +0,11 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Asnjë prej grupeve nuk ka dhënë kontribut negative, ndërkohë që shërbimi arsimor dhe shëndeti regjistrojnë një kontribut në zero, sinjalizojnë të dhënat zyrtare.
Ndërkohë, krahasuar me muajin Prill të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije jo-alkoolike” me 4,5%, pasuar nga grupet “Komunikimi” me 3,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,7 %, “Argëtim dhe kulturë” me 1,3 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,0 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,8 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,6 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,4 %, “Transporti” me 0,3 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 % secili. Brenda grupit të ushqimeve ndërkohë, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 10,2%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 4,6%, “fruta” me 4,4 %, “peshk” me 2,5 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 1,9%, “bukë dhe drithra” me 1,8%, “mish” me 1,2%, etj
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.