Inflacioni ra sërish në shkurt – Zbriti në 1.2%, nuk ka shenja për rritje të qëndrueshme

Inflacioni pësoi sërish rënie në muajin shkurt, duke treguar se për momentin lëvizja e tij e qëndrueshme drejt objektivit të Bankës Qendrore ngelet ende larg. Mbështetur në të dhënat e Instat, inflacioni ra në 1.2%, duke zbritur shpejt nga rritja prej 1.5% e muajit janar. Rënia u përcaktua sidomos nga grupi i ushqimeve, ku inflacioni zbriti në 1.9%, nga 2.4% që kishte qenë për janarin. Ulja e inflacioni të ushqimeve u ndikua sidomos nga nëngrupi i perimeve, ku çmimet ranë me 3.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përkundrazi, vlera të larta të inflacionit shfaqi nëngrupi i frutave me 19.3 %.
Në strukturën e tij, inflacioni vazhdon të formohet në masën dërrmuese nga ushqimet dhe qiratë, që së bashku dhanë 80% të kontributit total në rritjen e çmimeve për shkurtin.
Rënia e inflacionit për shkurtin rrit më tej pasiguritë rreth ecurisë së ekonomisë këtë vit. Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar një efekt të ndjeshëm të tërmetit në rritjen ekonomike të këtij viti. Vetëm për shkak të efekteve të tërmetit, ekonomia mund të pësojë një efekt negativ me 0.6 pikë përqindje. Por, ndërkohë, përshkallëzimi i situatës me virusin Covid-19 në disa vende të Europës po bëhet gjithnjë e më shumë një kërcënim edhe për ekonominë.
Shtimi i rreziqeve dhe inflacioni që nuk rritet po e vendosin Bankën e Shqipërisë përballë dilemës për të rritur stimulin monetar, skenar ky që Këshilli Mbikëqyrës po e mban të hapur që nga vera e vitit të kaluar. Diskutimi i radhës do të bëhet në mbledhjen e parashikuar për në datën 25 mars. Aktualisht, norma bazë e interesit është në nivelin më të ulët historik, prej 1%. Ndërkohë, në strategjinë afatmesme të zhvillimit 2020-2022, për herë të parë Banka e Shqipërisë ka pranuar zyrtarisht se po shqyrton mundësinë e përdorimit të instrumenteve të reja të politikës monetare, apo të ashtuquajturat masa jokonvencionale.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.