Inflacioni rritet sërish – Arrin në 2.2% për muajin qershor

Inflacioni për muajin qershor u rrit sërish në 2.2%, nga niveli 2% i muajit maj.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në muajt e fundit inflacioni po shfaqet i qëndrueshëm pranë kufirit të poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, krahasuar me një viti më parë, duket se inflacioni ka një tendencë të qartë në rritje, po të kemi parasysh se në qershor të vitit të kaluar ishte 1.2%.

Kontributin kryesor në inflacion vazhdon ta japë grupi i ushqimeve, që për muajin qershor regjistroi një rritje të inflacionit në 5.1%, nga 3.8% që kishte qenë për muajin maj.
Produktet me rritjen më të lartë të çmimeve krahasuar me një vit më parë janë frutat, zarzavatet dhe prodhimet e bulmetit.
Shtrenjtimi i produkteve ushqimore, megjithatë, u balancua nga zbutja në grupin “Transporti”, ku inflacioni ra më tej në 0.7%, nga 2.6% që kishte qenë në muajin maj. Rënia e inflacionit në këtë grup i detyrohet kryesisht rënies çmimeve të shitjes me pakicë të karburanteve.
Ndër grupet me peshë më të ulët, inflacioni ka pësuar rënie në grupin “argëtim dhe kulturë”, ndërsa vlerat negative të inflacionit janë thelluar më tej në grupin “veshje dhe këpucë”.
Banka e Shqipërisë pret që inflacioni për këtë vit të jetë në nivelin 2.3%, në rritje të ndjeshme nga niveli prej 1.3% i regjistruar në vitin e kaluar.
ritja graduale e inflacionit po mbështetet nga rimëkëmbja e kërkesës së brendshme, por edhe nga përmirësimet në mjedisin e jashtëm ekonomik, që përcillen në çmime më të larta të lëndëve të para dhe rritje të inflacionit të importuar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.