Inflacioni, rritja, nën ritmin e BE-së – Në 1.4% gjatë marsit, nga 1.7% në union, sa i përket rritjes së çmimeve të konsumit

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Mars të këtij viti fiksohet pranë 1,4%, nga 1.3% që ishte gjatë muajit paraardhës, tregojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave. Rritja më e madhe e çmimeve, prej 2,3% vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Komunikimi” me 2,1 %, “Ushqime dhe pije jo-alkoolike” me 2,0 %, “Pije alkoolike dhe duhan”me 1,8 %,“Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,5 %,“Shëndeti” 1,4 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,8 %, si dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,6 %.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,1 %. Në muajin Mars 2021, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,8%. Sa i përket ndikimit të grupeve kryesore në këtë normë gjatë marsit, ushqimet dhe pijet jo-alkoolike kanë pasur impaktin më të madh, me 0.75 pikë përqindje, ndjekur nga transporti dhe hoteleria e bar/ristorante.
Sa i përket krahasimit me vendet e tjera të Europës, rritja e çmimeve të konsumit në Shqipëri gjatë marsit rezulton nën mesataren e Bashkimit Europian, që fiksohet pranë 1.7%. Shqipëria renditet në vendin e 16-të në Europë sa i përket rritjes së çmimeve të konsumit, duke u konfirmuar për të distain muaj me radhë në pozita të qëndrueshme. Kujtojmë se, gjatë vitit të pandemisë, vendi ynë ka qenë vazhdimisht ndër 5 vendet me rritjen më të madhe të çmimeve në Europë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.