Inflacioni sfidon BQE – Treguesi bazë bie në 1.1%, vështirëson heqjen e stimujve
Presionet në nivelin e çmimeve ranë papritur në Eurozonë për muajin Shtator, të dhëna që pritet të shtojnë shqetësimet te Banka Qendrore Europiane, që po përgatitet të heqë stimujt monetarë.
Ndërkohë që pjesa më e madhe e mjeteve ka shteruar, BQE po tërheq gradualisht mbështetjen monetare, duke argumentuar se e ka kryer funksionin, ndërkohë që ekonomia është rritur dhe inflacioni ka marrë vrull.
Pavarësisht se indeksi i çmimeve të konsumit u rrit në 2.1% në Shtator, nga 2% që ishte një muaj më parë, norma që përjashton ushqimin dhe energjinë, ra në 1.1%, nga 1.2%, sipas Eurostat.
Kjo dështoi të arrijë projeksionet e Bankës Qendrore, që tregonin se inflacioni do të rritet deri në fund të këtij viti. Një tjetër masë që përjashton edhe alkoolin dhe duhanin, ra në 0.9%, nga 1% që ishte në muajin Gusht.
Një tjetër burim shqetësimi, që e vë Bankën Qendrore Europiane përballë kritikave të Gjermanisë, është se inflacioni ka kaluar nivelin objektiv të bankës për 4 muaj radhazi.
Por, institucioni në Frankfurt nuk ka gjasa të tkurr politikat monetare në kundërpërgjigje të rritjes së çmimeve që ka ardhur kryesisht nga energjia, për shkak se këto tendenca janë zakonisht të përkohshme.
Rritja ekonomike është ngadalësuar prej luftës tregtare ndërsa Brexit dhe trazirat në tregjet në zhvillim janë përshpejtuar, gjë që tregon se Eurozona nuk mund ta përballojë heqjen e shpejtë të stimujve.
Banka Qendrore Europiane planifikon ta përfundojë programin prej 2.6 trilionë euro në fund të këtij viti dhe pret rritjen e normave të interesit në tremujorin e katërt 2019.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.