Inflacioni zhgënjen përsëri – Bie në 1.4% në Mars. Shton presionet për BQE
Inflacioni në Eurozonë u ngadalësua papritmas gjatë Marsit, duke shtuar presionet te Banka Qendrore Europiane për të mbajtur më gjatë stimujt monetarë. Inflacioni në 19 vendet që ndajnë euron, u ngadalësua në 1.4% në Mars, poshtë pritshmërive të tregjeve dhe objektivit të Bankës Qendrore Europiane në pranë 2%. Duke shtuar shqetësimet, inflacioni bazë që përjashton çmimet e luhatura të energjisë dhe ushqimit të papërpunuar, u ngadalësua në 1%, që është niveli më i ulët që prej Prillit 2018.
Pavarësisht se pagat janë rritur dhe punësimi ndodhet në nivel rekord të lartë, çmimet e konsumit kanë qëndruar të dobëta duke ngritur dyshime mbi aftësinë e bankës për të kontrolluar inflcionin. Presidenti i institucionit Mario Draghi, ka parashikuar prej kohësh një rritje të inflcionin, por të dhënat zhgënjyese kanë bërë që Banka Qendrore të kërkojë më shumë kohë në arritjen e objektivit.
Rënia e inflacionit bazë mund të rimëkëmbet muajin e ardhshëm, pasi ekonomistët e kanë fajësuar këtë ndaj faktorëve sezonalë, pasi mund të vijë një rritje e çmimeve gjatë pushimeve për pashkët. Pavarësisht se Banka Qendrore Europiane përfundoi programin e blerjes së obligacioneve prej 2.6 trilionë euro në fund të vitit të kaluar, institucioni ka vonuar planet për të rritur normat e interesit. Komponenti i energjisë ishte i vetmi me rritje të shpejtë në muajin Mars, me 5.3% me bazë vjetore.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.