Informacion i përditësuar/ MSH: S’ka koronavirus në Shqipëri. U monitoruan 4800 udhëtarë. Përcaktohet vendi i karantinës
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar informacionin e përditësuar lidhur me situatën e koronavirusit. Ministria rikonfirmon se deri më tani në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19.
“Deri në mbrëmjen e djeshme janë testuar 13 raste të dyshuara që kanë pasur shenja të infeksionit të sipërm respirator dhe histroi udhëtimi me vendet ku kemi shpërthime komunitare, përfshirë edhe Italinë; rastet kanë rezultuar negative nga testimi në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Diagnoza e plotë e COVID-19 kryhet pranë Laboratorit të Virologjisë në ISHP, i vetmi në vend i çertifikuar nga OBSH” njofton Ministria.
Ndërkoë pas mbledhjes së Komitetit të Ekspertëve është vendosur rialokimin e një fondi shtesë prej 1 milion dollarë vetëm për shtimin e stokut të mjeteve të mbrojtjes personale në strukturat shëndetësore.
“Nga survejanca e përforcuar në pikat tona kufitare gjatë 24 orëve të kaluara, janë monitoruar 4800 udhëtarë, të cilët kanë qenë me histori udhëtimi në vendet ku ka pasur shpërthim komunitare përfshirë edhe Italinë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon qytetarët që vijnë nga rajonet e prekura nga Koronavirusi, të vetëkarantinohen për një periudhë prej 14 ditësh” shkruhet një deklaratën e ministrisë.
Strukturat e shëndetit publik do të monitorojnë zbatimin e urdhrit të ministres Manastirliu për masa të shtuara higjieno-sanitare në institucionet arsimore, si një masë shumë e rëndësishme në këtë situatë.
Po ashtu ekspertët e Task Forcës apelojnë që qytetarët të jenë të vëmendshëm ndaj higjenës vetjake me qëllim shmangien e rrezikut të COVID-19. Është shumë e rëndësishme që të qytetarët të marrin masa të shtuara higjieno-sanitare:Që nga larja e shpeshtë e duarve, përdorimi i një shamie letre ose grushtit të brrylit kur teshtin dhe jo duart, minimizimi i prekjes me dorë të hundës, gojës dhe syve si dhe përdorimi i maskave vetëm në rastet kur jeni të sëmurë apo ndihmoni njerëz që janë të sëmurë. Nuk rekomandohet përdorimi i maskave për pjesën tjetër të qytetarëve, të gjitha këto rregulla ndihmojnë në ruajtjen ndaj infektimit me koronavirus.
Po vijohet me rritjen e sasisë së mjeteve të mbrojtjes personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare, në strukturat shëndetësore spitalore e deri në nivel të diagnozës laboratorike.
Gjithashtu siç është bërë me dije, tashmë është përcaktuar vendi i karantinës në rast se do të jetë e nevojshme, që është një strukturë spitalore, e vlerësuar edhe nga komiteti teknik, që plotëson të gjitha standardet e përcaktuara nga OBSH.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së cdo shqetësimi apo shenje klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.