Infrastruktura e Policisë së Shtetit, Lleshaj: Po investojmë për përmirësimin e drejtorive dhe komisariateve
Ministria e Brendshme ka nisur investimin për përmirësimin e infrastrukturës e të gjitha drejtorive dhe komisariateve. Ministri, Sandër Lleshaj inspektoi punimet në kantierin ku po ngrihet ndërtesa e re e Drejtorisë Vendore të Policisë, Shkodër duke lajmëruar se ndërtesa dhe të gjitha punimet e brendshme do të përfundohen para afatit dhe do të jenë të gatshme para fundit të vitit
“Me kënaqësi konstatoj ritëm të lartë punimesh dhe, besoj, siç u premtua edhe nga Kontraktori, që drejtoria e re do të jetë gati nga fundi i vitit, para afatit të parashikuar, gjë që është një lajm i mirë për gjithë strukturat e policisë së qytetit të Shkodrës dhe punonjësit e saj.”
Ndërtimi i ambienteve të reja nëpër qarqe është pjesë e një programi të gjerë, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të punës për organizatën e Policisë së Shtetit.
“Drejtoria e re Vendore e Policisë po ngrihet në kuadër të një programi të gjerë që Ministria e Brendshme ka për të përmirësuar infrastrukturën e të gjitha drejtorive dhe komisariateve. Sot jemi në Shkodër, shoh që punimet po ecin mirë. Është një investim i rëndësishëm.”
Projekti për ndërtimin e objekteve të Drejtorisë dhe Komisariatit të Policisë Shkodër financohet nga buxheti i shtetit. Sipas kontratës me kompaninë ndërtuese, afati i zbatimit është 24 muaj gjë e cila parashikon përfundimin e projektit deri në 10 tetor 2020.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.