Infrastruktura/ Turizëm, apo investime elektorale?!
Nga Dorian Koça
Turizmi është një nga prioritetet kryesore të çdo qeverie në Shqipëri.
Por, sot më shumë se kurrë është kthyer në një sfidë më vete, për shkak të rritjes së fluksit të shtetasve të huaj që vit pas viti preferojnë të kalojnë pushimet në vendin tonë.
Dhe vitin e kaluar numri i këtyre shtetasve arriti në rreth 6 milionë. Një rekord absolut për Shqipërinë. Por, ambicja e shtetarëve tanë shkon edhe më larg, kur synojnë që ky numër të arrijë në 10 milionë!
Që turizmi sjell zhvillim dhe mirëqenie për shoqërinë, këtë e dimë. Por, që ky zhvillim duhet të ecë paralelisht me disa investime, ku infrastruktura është kryesorja. Pikërisht infrastruktura, duke nisur nga portat hyrëse të vendit nga ajri, deti dhe sidomos nga toka.
Pavarësisht qindra milionë euro të investuara në infrastrukturën rrugore, ende problematikat janë të mëdha. Rëndom investimet kryhen kuturu, kryesisht në prag zgjedhjesh dhe fondet “zhduken” sa hap e mbyll sytë dhe sërish kërkohen para’ për këto investime.
Investime në prag sezoni turistik dhe zgjedhjeve vendore
Shkak për këtë shkrim u bë një njoftim i Autoritetit Rrugor Shqiptar, sipas të cilit për rreth dy muaj (nga 8 maji deri në 17 korrik 2019) në autostradën Tiranë-Durrës nga ish-dogana deri në Vorë do të qarkullohet me vetëm një korsi.
Në këtë segment 14 km të gjatë do të rehabilitohet ndriçimi. Prej vitesh, ndonëse shtyllat ekzistojnë në pjesën më të madhe të kësaj rruge, ato nuk ndriçonin, duke e bërë këtë rrugë burim aksidentesh të shpeshta.
Arteria më e ngarkuar rrugore e vendit, sidomos në sezonin veror, por edhe gjatë fundjavave në të gjithë vitin, Tiranë-Durrës do të kthehet sërish në një makth për qytetarët.
Pse pikërisht në këtë periudhë kryhet ky investim?
Krahas përfitimeve, a janë llogaritur kostot që do të paguajnë qytetarët? Cilat janë rrugët alternative për të shkuar drejt bregdetit të Durrësit dhe më tej në Jug të vendit?
Sigurisht, rruga dytësore nga Tirana në Vorë.
Po, rruga Tiranë-Plepa? Pse nuk investohet për rehabilitimin e saj? A është ky një investim elektoral, apo për të mbuluar vjedhjet e shumta ndër vite me fondet për këtë autostradë?
Pyetje si këto mund të bëhen pafund, por përgjigjet nga zyrtarët përgjegjës mungojnë.
Projekti me Bankën Botërore
Në nisje të këtij investimi, Autoriteti Rrugor Shqiptar, për hir të transparencës ka deklaruar se ndërhyrjet kryhen në kuadër të projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore Bazuar në Rezultate”, financim i qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Botërore.
Por, çfarë parashikon ky projekt? Ai u miratua më 27 mars 2015 nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore dhe ka një vlerë prej 65,9 milionë euro, fond të cilit i shtohet edhe kontributi i qeverisë shqiptare prej 62,57 milionë euro, për një total prej 128,47 milionë euro. Projekti do të përmirësojë sigurinë në rreth 1334 km të rrugëve kombëtare me vëllim të lartë qarkullimi të Shqipërisë.
Në njoftimin zyrtar të miratimit të kësaj huaje Banka Botërore nënvizon: “Projekti për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore synon të ruajë e mirëmbajë kushtet, si dhe të përmirësojë sigurinë e rrjetit rrugor, të forcojë menaxhimin e qëndrueshëm dhe efficient të vlerave të rrugëve dhe kushteve të sigurisë në përfitim të përdoruesve të tyre. Mirëmbajtja e rrjetit të rrugëve kombëtare ka qenë vazhdimisht e keqfinancuar duke dëmtuar kështu qëndrueshmërinë e sektorit të transportit.
Siguria në rrugë mbetet një problem madhor social dhe për shëndetin publik në Shqipëri me një numër mjaft të lartë viktimash për vit krahasuar me vendet e rajonit. Projekti gjithashtu, do të ndihmojë qeverinë në kryerjen e reformave për menaxhimin e investimeve publike në mënyrë që investimet të jenë të mbështetura nga pikëpamja fiskale dhe në përputhje me planin e buxhetit afatmesëm”.
Ndër të tjera, institucioni financiar ndërkombëtar thekson se “rezultatet e projektit do të maten përmes objektivave të paracaktuara sipas performancës periodike dhe rutinë të mirëmbajtjes, përmirësimit të sigurisë rrugore, vlerësimit me yje të rrjetit rrugor kombëtar dhe përgatitjes së planeve shumëvjeçare të mirëmbajtjes si pjesë e sistemit të menaxhimit të aseteve rrugore”.
Dhe rezultatet e projektit u monitoruan, duke arritur në përfundimin e konstatimit të shkeljeve. Vetëm tre vite pas miratimit të financimit, në janar 2018, Banka Botërore njoftoi se kontratat që ka lidhur qeveria shqiptare me firmat e mirëmbajtjes së rrugëve nacionale po rishikohen, pasi ishin konstatuar defekte të mëdha.
“Kontratat e rrugëve po kalojnë në një fazë modifikimi dhe duhet të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur për të garantuar zbatim të suksesshëm dhe në mënyrë që përdoruesit e rrugëve shqiptare të përfitojnë. Këto çështje lidhen në pjesën më të madhe me volumin e punëve rehabilituese (asfalt dhe të tjera) që janë të nevojshme për të sjellë rrugët në nivele specifike të shërbimit. Volumi i këtyre punëve u keq vlerësua gjatë periudhës së përgatitjes së projektit dhe kushtet e këtyre rrugëve kanë ndryshuar. Po kështu ka edhe disa çështje të tjera që kanë nevojë të adresohen përmes rishikimit të Specifikimeve dhe pjesëve të tjera të kontratës, që ndonjëherë nuk janë të qarta dhe ku ka kontradikta dhe mospërputhje”, nënvizohet në raportin e Bankës Botërore.
Një zvarritje kaq e gjatë me këto investime dhe ja ku jemi në prag të sezonit turistik. Pikërisht, të këtij sezoni, që ashtu siç e thamë më lart, pritshmëritë janë të mëdha.
Vetëm pak ditë më parë, disa agjenci turistike italiane publikuan lajmin se prenotimet e shtetasve të vendit fqinj në bregdetin shqiptar kanë arritur majat dhe rrezikon që të mos ketë më vende në hotelet shqiptare për prenotime të mëtejshme. Të njëjtin trend deri diku kanë edhe turistët nga Europa Qendrore dhe Lindore.
E nëse kërkesat janë tejet të larta, çfarë kushtet i ofrojmë ne?
Investimet që rëndom kryhen në prag apo gjatë sezonit turistik, por edhe në prag zgjedhjesh janë një stres më vete për të gjithë. E ndërsa, prej vitesh artikulohet që zgjedhjet të mos zhvillohen gjatë sezonit turistik, qershia mbi tortë vjen nga kaosi dhe moskoordinimi i institucioneve përgjegjëse.
Një ministri përgjegjëse për turizmin dhe një tjetër për infrastrukturën, njëra gozhdës dhe tjetra patkoit, ku si përfundim populli gjithnjë është “viktima”….
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.