Inspektimet e AKU – Peleshi: Asnjë tolerim inspektorëve që shkelin ligjin apo korruptohen
Asnjë tolerim për inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të cilët shkelin procedurat ligjore gjatë kryerjes së kontrolleve apo nëse konstatohet se janë në situata korrupsioni. Paralajmërimi është bërë nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, i cili tha se kjo është një prej masave për garantimin e sigurisë ushqimore në vend.
“Unë jam i vendosur që integritetin e inspektorëve, apo dinjitetin dhe prestigjin e inspektorëve ta ngre sa më lart, padyshim. Por nga ana tjetër, çdo inspektor që tejkalon ligjin, që del nga korniza ligjore dhe që pastaj, që siç mund ta vërtetojnë ose jo organet e tjera, e shfrytëzon forcën e ligjit në dobi të interesave të veta jolegjitime financiare, ekonomike, pra të ryshfetit, natyrisht që do të ndëshkohet”, tha ministri i Bujqësisë.
Peleshi mori shkas nga denoncimi i një qyetari për drejtorinë rajonalë të AKU në Fier, ndërsa ftoi të gjithë ata që konatatojnë shkelje të depozitojnë ankesën e tyre pranë platformës online të bashkëqeverisjes www.shqiperiaqeduam.al
“Inkurajoj të gjithë qytetarët si dhe bizneset të denoncojnë çdo rast të cënimit të sigurisë ushqimore. Dua ta theksoj se sot siguria ushqimore është mbi të gjitha një domosdoshmëri. Siguria ushqimore nuk ka të bëjë me një qasje politike, nuk ka të bëjë me një qëndrim politik të një partie, apo të një partie tjetër. Siguria ushqimore është një për të gjithë, ka lidhje me jetën, ka lidhje me shëndetin. Shqipëriaqëduam.al, kjo është platforma e bashkëqeverisjes me qytetarin. Distancën e qeverisë nga qytetarët, kjo platformë e bën sa një mesazh”, tha Peleshi.
Më herët Peleshi ka deklaruar se vendi ynë është shumë mbrapa në drejtim të sigurisë ushqimore, ndërkohë që rritja e standardeve në këtë fushë është një prioritet i qeverisë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.