Inspektimet në sipërmarrje – Hajdari: Lista e dokumentacionit të kontrollit online

Inspektime të planifikuara, të njoftuara dhe të informuara për dokumentacionin që do t’u kontrollohet bizneseve.
Inspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, u shpreh gjatë një takimi konsultativ me komunitetin e biznesit, se 75% e kontrolleve do të jenë të planifikuara dhe njoftimi i sipërmarrjes që do të kontrollohet do të bëhet 3 ditë para.
Ndërkohë gjithë procesi i kontrollit do të jetë online, çka do të ulë abuzivizmin dhe korrupsionin në këtë proces.
“Listat dixhitale dhe kartat dixhitale të të gjithë inspektorëve të Republikës së Shqipërisë, sipas inspektoriateve shtetërore, pranë biznesit. Kemi dërguar të gjithë check-listat, që do të thotë se çdo inspektoriat shtetëror që vjen tani e tutje për të bërë një inspektim, do ta bëjë atë inspektim mbi bazën e disa dokumentave standarde të formalizuara dhe mbi bazën e check-listave, për të garantuar që çdo biznes të kontrollohet në mënyrë të barabartë”, tha Hajdari.
Kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ines Mucostepa, kërkoi në emër të biznesit që inspektorët të jenë më bashkëpunues me sipërmarrjen.
“Është e rëndësishme që apelimi të jetë pikërisht pranë Inspektoriatit Qendror, në mënyrë që edhe në rast abuzimi të jetë ky sportel, ku të gjitha sipërmarrjet të mund të depozitojnë ankesat e tyre lidhur me abuzime dhe raste të ndryshme. Ne si sipërmarrje, duke dëgjuar platformën që ju sot informuat, praktikisht do ta mbështesim këtë iniciativë. E konsiderojmë vërtetë shumë të rëndësishme. Transparenca e inspektimit ne e dimë që do të krijojë një klimë të mirë biznesi, do të ndihmojë formalizimin e ekonomisë, konkurrencën e ndershme mes sipërmarrjes dhe do të ndihmojë patjetër në eliminimin e korrupsionit. Por, në të njëjtën kohë, ashtu siç do t’ju mbështesim, patjetër do të jemi edhe shumë të vëmendshëm për të mbikëqyrur gjithë këtë proces”, u shpreh Mucostepa.
Ndërkohë, që nga fillimi i këtij viti ka nisur platforma e inspektimit online, çka ka nxjerrë jashtë funksionit “blloqet” gjatë kontrollit të bizneseve.
Sipas Inspektoriatit Qendror, tashmë janë 500 pajisje me internet që kryejnë këtë funksion në terren, ndërkohë që pritet të ndërhyhet në ligjin mbi inspektimin për ruajtjen e aktit administrativ, çka do rrisë transparencën në këtë fushë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.