Inspektimet online – “Bizneset mos të pranojnë inspektime me procesverbale”
Bizneset duhet të tregohen bashkëpunues për të ndihmuar inspektimet sipas formës së re online, të kryhen në mënyrë korrente.
Por nga ana tjetër nuk duhet të pranojnë asnjë inspektim me procesverbal. Ishte kjo thirrja që bëri Kryeinspektori i Inspektoratit Qendror Shkëlqim Hajdari.
“Biznesi të njoftojë nëse trupat inspektuese i bëjnë inspektimet jashtë kuadrit ligjor. Brenda qershorit do të jenë inspektime online në të gjithë vendin. Kjo formë inspektimi në ndihmë të biznesit të ndershëm. Bizneset që punojnë jashtë standardit do goditen fort. Jemi i vetmi vend në Ballkan që implementojmë këtë reformë në inspektime. Synojmë edhe regjistrimin video për gjithë procesin e inspektimeve“, tha Hajdari.
Deklaratat u bënë nga terreni në pikat e karburantit ku Inspektorati Shtetëror Teknik po aplikon mënyrën e re të kontrolleve.
Drejtori i Drejtorisë së Inspektimit të Pajisjeve Nën Presion, Arjan Goshi dha edhe detajet mbi mënyrën si po veprohet.
“Është inspektim online në një karburant ku marrin pjesë tre drejtori të ISHTI-t. Qëllimi i inspektimit është njohja e subjektit edhe me të gjitha fushat e inspektimit. Të dhënat e inspektimit online do të jenë automatikisht në sistem. ISHTI e fillon sot këtë lloj inspektimi duke hequr dorë nga procesverbalet me blloqe“, u shpreh Goshi.
Aktualisht inspektimet online po zbatohen nga 15 inspektorate të ndryshëm. Për momentin kjo është e mundur vetëm në Tiranë.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.