Inspektimi dixhital/ Që nga fillimi i këtij viti ka nisur platforma e inspektimit online, çka ka nxjerrë jashtë funksionit “blloqet” gjatë kontrollit të bizneseve
Komuniteti i biznesit shpesh herë është ankuar për abuzivitetin e inspektorëve të ndryshëm gjatë kontrolleve të tyre. Por, përqendrimi i monitorimit tashmë nga Inspektoriati Qëndror ka bërë që çdo inspektim nëpër biznese të jetë online dhe i kontrollueshëm. Të dhënat regjistrohen në bazën e të dhënave të inspektoriateve përkatëse, si dhe te Inspektoriati Qendror Shtetëror.
Kjo procedurë është jo vetëm një thjeshtim i punës së inspektorëve, por edhe i biznesit, pasi inspektimi online ul koston dhe eliminon korrupsionin. Gjithashtu, inspektimet bëhen të planifikuara, të njoftuara dhe të informuara për dokumentacionin që u kontrollohet bizneseve. Kështu sipas statistikave të Inspektoriatit Qëndror , 75% e kontrolleve janë të planifikuara dhe njoftimi i sipërmarrjes që kontrollohet është 3 ditë para.
Ndërsa çdo akt kontrolli i bërë nga inspektorët është dhe akt administrativ, që mund të apelohet. Sipas Inspektoriatit Qendror tashmë janë 500 pajisje me internet që kryejnë këtë funksion në terren, ndërkohë që pritet të ndërhyhet në ligjin mbi inspektimin për ruajtjen e aktit administrativ, çka do rrisë transparencën në këtë fushë.
Transformimi i inspektimit
Inspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, thotë se inspektoriati duhet të ndërtojë një marrëdhënie ligjore me biznesin.
“Administrata dhe inspektorët të kryejnë detyrat e tyre për të patur inspektime të ndershme, të bazuara në ligj, për të prodhuar një akt të rregullt legjislativ, i cili të jetë në një farë mënyre i pakontestuar nga biznesi dhe më vonë edhe nga gjykatat. Kjo është një qasje, një pjesë e një reforme të madhe që tashmë qeveria shqiptare e ka shpalosur edhe në mandatin e parë. Kryeministri Rama edhe në këtë mandat të dytë ka vendosur si prioritet për të gjithë ne që punojmë për administratën shtetërore shembjen e gjithë atyre sistemeve të mbyllura, që krijojnë klientelizëm, padrejtësi, subjektivizëm për të mos thënë edhe korrupsion. Ndërsa inspektorët duhet t’i shohin bizneset që i kanë objekt kontrolli jo si subjekte të cilët kanë për detyrë të penalizojmë, por si subjekt dhe motor i zhvillimit të ekonomisë për t’i ndihmuar. Ne do të luftojmë për këtë në mënyrë që edhe biznesi të mos ndjehet i frikësuar, përkundrazi nëpërmjet inspektorëve shtetërore të ketë presionin pozitiv për të formalizuar ekonomitë e tyre,” thotë ai.
I pyetur mbi ndërveprimin dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet inspektoriateve, Hajdari tha se sistemi dixhital i ndërtuar është ndër sistemet më bashkëkohorë dhe tashmë është plotësisht eficient.
“Sigurojmë transparencën duke qenë se kontrolli është dixhital dhe çdo biznes kontrollohet në mënyrë të barabartë, çka do të thotë se nuk mundet një biznes të kontrollohet më tepër ndërsa një biznes tjetër të favorizohet duke i kërkuar me pak dokumente. Inspektorët shtetërore po e kuptojnë se kjo është një rrugë pa kthim. Kemi ndërtuar listat e kontrollit, që janë pjesë e sistemit dixhital, kemi pajisur të gjithë inspektorët me karta dixhitale, kemi të hedhur në portalin e IQ-së të gjithë ligjet organike të çdo inspektoriati, duke i bërë të aksesueshme për biznesin, publikun e median, ” thotë Hajdari.
Inspektimi në kohë reale
I pyetur mbi sektorët që janë më me risk dhe si bëhet përzgjedhja e tyre për t’u kontrolluar, Inspektori i Përgjithshëm, Hajdari thotë se Inspektoriati po fokusohet që inspektimi të kthehet në një proces të rregullt administrativ. Nga momenti që lëshohet autorizimin për inspektim e deri në momentin kur trupa e inspektimit është pranë biznesit apo entit publik, procesi realizohet online, në mënyrë që Inspektoriati Qendror të shikojë të gjithë trupat e inspektimit duke kryer procesin e kontrollit. Edhe akti administrativ, me apo pa shkelje, prodhohet po online dhe të firmoset pranë biznesit në mënyrë që edhe biznesi të ketë mundësinë të shprehet direkt se çfarë vërejtjesh do të ketë. E gjithë kjo procedurë inspektimi shumë shpejt do të fillohet edhe me kamera e do të pasqyrohet në procesverbalin e konstatimit, më pas do të printohet e do të nënshkruhet nga palët në vend. Kështu i gjithë ky proces, vajta, prodhimi i aktit administrativ, firmosja e tij apo edhe ankimimi që mund të vijë nga biznesi, i cili gëzon të drejtën ta çojë edhe në gjykatë, duhet të jenë të filmuara.
Ndërsa duke folur për strukturat e apelimit të një vendimit të inspektoriatit në momentin që biznesi e konteston atë, Hajdari shprehet se, së pari, çdo biznes duhet të krijojë kushtet e nevojshme inspektorit të kryejë inspektimin mbi bazën ligjore dhe nga ana tjetër ai duhet të ndalojë ato trupa inspektimi të cilat nuk zbatojnë ligjin. Çdo kryeinspektor ka marrë urdhrin e Inspektorit të Përgjithshëm që inspektimet do të bëhen me kartat dixhitale dhe pajisjet online. Nëse trupat e inspektimit nuk janë të pajisura në këtë mënyrë, ato duhen refuzuar dhe duhet njoftuar inspektoriati shtetëror. Ligji i inspektimit e përcakton qartë se nëse një biznes është i pakënaqur nga procesverbali ka afatet e ankimimit që shkojnë deri në 45 ditë.
Të gjithë emrat e inspektorëve të Republikës së Shqipërisë janë në faqen e Inspektoritatit Qendror me numrin përkatës. Hajdari shprehet se tashmë është e shkruar në ligj që çdo biznes duhet njoftuar të paktën tre ditë para se do të kontrollohet.
“Ndoshta ky afat do të rritet 5-7 ditë. Ne do të përpiqemi të ruajmë parimin themelor në bazë të të cilit 70%-75% e inspektimeve të jenë të planifikuara, ndërsa pjesa tjetër të jenë në kuadrin e emergjencave, njoftimeve, të ngjarjeve të rënda në ekonomi dhe ku trupat e inspektimeve janë të domosdoshme për të funksionuar me qëllimin që inspektimi dhe inspektoriatet ti përdorim për të ndihmuar biznesin,” shprehet ai.
Violeta Shqalsi/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.