Instat: Vdekjet në Shqipëri u rritën me 55.8 % në tremujorin e parë të këtij viti. Për lindjet, Kukësi vendos rekord
Numri i lindjeve për tremujorin e parë 2021 është 6.006, duke shënuar një rënie me 5,4 %, krahasuar me tremujorin e parë 2020.
Ndërsa numri i vdekjeve për tremujorin e parë 2021 rezulton 9.657, duke shënuar një rritje prej 55,8 %, krahasuar me tremujorin e parë 2020.
Sipas publikimit të INSTAT, shtesa natyrore e popullsisë, diferenca midis lindjeve dhe vdekjeve në tremujorin e parë 2021, pësoi një rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, nga 153 në -3.651 në 2021.
Në tremujorin e parë 2021, Kuksi është i vetmi qark i vendit që ka shënuar shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.
Në tremujorin e parë 2021, vlera më e lartë e shtesës natyrore regjistrohet në qarkun e Kukësit, ku numri i lindjeve tejkalon me 10 numrin e vdekjeve, ndërsa ai më i vogël regjistrohet në qarkun e Tiranës, ku vdekjet tejkalojnë me 681 numrin e lindjeve.
Çfarë ka ndodhur me vdekjet?
Në tremujorin e parë 2021, të gjitha qarqet e vendit kanë shënuar rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Në tremujorin e parë 2021, numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 168 vdekje, ndërsa ai më i madh në qarkun e Tiranës, me 2.701 vdekje.
Rritjen më të vogël në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë 2021 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Korçës, me 11,5 %.
Rritjen më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Tiranës, me 77,5 %.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.