Institucionet shëndetësore, kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e drejtuesve të shërbimeve
Këshilli i Ministrave ka publikuar kriteret, procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të drejtuesve të shërbimit në strukturat shëndetësore universitare. Sipas vendimit të fundit, shërbimi në institucionet shëndetësore universitare drejtohet nga drejtuesi i shërbimit, i cili përzgjidhet në bazë konkurrimi.
Kriteret për kandidim
Drejtuesi i shërbimit në momentin e kandidimit duhet të plotësojë kriteret minimale bazë, si më poshtë vijon:
a) Të jetë mjek specialist i diplomuar në fushën e shërbimit për të cilin kandidon;
b) Në rastet kur kandidati ka vetëm shtetësi të huaj, ai duhet të zotërojë certifikatën e mbrojtjes së gjuhës shqipe, me përjashtim të rasteve kur kandidati ka kryer një cikël të plotë studimesh në gjuhën shqipe;
c) Të jetë i regjistruar në urdhrin profesional përkatës;
ç) Të zotërojë titullin “Profesor”, “Profesor i Asociuar” ose të ketë Doktoratë/PhD, të mbrojtur në një nga universitetet e BE-së, SHBA-ve, Kanada, Australi apo Japoni. Në rast se asnjë nga pjesëtarët e stafit mjekësor nuk plotëson kriteret e sipërpërmendura, mund të pranohen edhe kandidatë me doktoratë/PhD, të mbrojtur në Shqipëri apo vende të papërmendura më sipër;
d) Të jetë mjek pedagog me kohë të plotë, me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar në IAL-në përkatëse dhe të ketë të njëjtin specialitet në shërbimin shëndetësor universitar, për të cilin kandidon, ose të jetë/të ketë qenë mjek pedagog me kohë të plotë i strukturave universitare homologe të Bashkimit Evropian ose vendeve anëtare të OECD;
dh)Të mos ketë qenë asnjëherë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë;
e) Të mos ketë asnjë dënim të dhënë nga Urdhri i Mjekut;
ë) Të ketë përvojë akademike si pedagog me kohë të plotë, jo më të vogël se 5 (pesë) vjet.
Në rastet kur asnjë nga pjesëtarët e stafit mjekësor nuk plotëson kriterin e sipërpërmendur, mund të pranohen edhe kandidatë me përvojë akademike, jo më të shkurtër se 8 (tetë) vjet, si pedagog me kohë të pjesshme. Konsiderohet përvojë akademike aktiviteti didaktik i kryer në institucione publike të arsimit të lartë apo në institucione jopublike të arsimit të lartë, të akredituara dhe në programe studimi të akredituara brenda vendit, në periudhën e përvojës së kryer. I njëjti kriter vlen dhe për institucionet dhe programet e akredituara/e njohura në një nga vendet e Bashkimit Evropian ose vendet anëtare të OECD;
f) Të ketë përvojë klinike/diagnostike jo më pak se 10 (dhjetë) vjet në specialitetin përkatës.
“Procedurat për përzgjedhjen e drejtuesit të shërbimit shëndetësor universitar nisin nga rektorati i IAL-së (UMT), me përfundimin e mandatit të radhës, me kërkesë të strukturës shëndetësore universitare përkatëse. Procesi i përzgjedhjes së kandidaturave bëhet nga një komision i posaçëm, i ngritur me urdhër të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, i cili ka në përbërje të tij një përfaqësues nga Rektorati, Dekanati i IAL-së, struktura shëndetësore universitare, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Shëndetësisë. Komisioni shpall datat dhe bën publike kriteret e vlerësimit të dosjeve. Komisioni organizon punën nëpërmjet sekretariatit të përbashkët me 5 (pesë) anëtarë, të cilët bëjnë verifikimin e dokumentacionit të dorëzuar për çdo aplikues dhe përputhshmërinë e kritereve të përcaktuara me këtë vendim”, thuhet në vendim.
Aplikimi
Kandidatët për drejtues të shërbimeve aplikojnë për pozicionin përkatës për një periudhë prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh kalendarike, duke nisur nga 1 (një) muaj para datës së konkurrimit.
Kërkesa shoqërohet me curriculum vitae, vetëdeklarimet bazuar në legjislacionin në fuqi, kopje të noterizuar të dokumentacionit përkatës provues të plotësimit të kritereve dhe të kartës së identitetit, si dhe projektin për zhvillimin e shërbimit. Kërkesa dorëzohet pranë zyrës së burimeve njerëzore të fakultetit, pjesë e të cilit është shërbimi ku do të konkurrojnë, i cili, me përfundimin e afatit për aplikim, ia kalon dokumentacionin sekretariatit të përbashkët.
Kandidatët paraqiten ditën e konkurrimit për të kryer intervistën me komisionin, e cila ka për qëllim prezantimin e projektit të kandidatit për zhvillimin dhe drejtimin e shërbimit. Projekti duhet të paraqesë të dhëna dhe produkte konkrete të matshme të cilat do të shërbejnë më pas si bazë për vlerësimin e punës së drejtuesit të ardhshëm të shërbimit që i ka paraqitur ato. Komisioni vlerëson projektin e paraqitur. Angazhimet e paraqitura nga kandidati në projekt bëhen pjesë e kontratës që kandidati lidh nëse ai shpallet fitues me strukturën shëndetësore universitare.
Kandidatët konkurrues për një shërbim të caktuar vlerësohen nga komisioni përkatës, sipas përcaktimeve dhe kritereve të parashikuara në këtë vendim.
Kandidati fitues lidh kontratën me drejtuesin e strukturës shëndetësore universitare, pjesë e të cilës është shërbimi përkatës.
“Nëse kandidati fitues vjen nga jashtë strukturave të IAL-së, ai fiton automatikisht edhe pozicionin e pedagogut me kohë të plotë, me kontratë me kohë të pacaktuar pranë IAL-së përkatëse. Drejtuesi i shërbimit drejton shërbimin për 4 (katër) vjet, me të drejtë rikandidimi.
Vlerësimi i punës së drejtuesit të shërbimit bëhet përmes vlerësimit të treguesve të performancës si dhe në bazë të detyrimeve kontraktore sipas parashikimeve në kontratën përkatëse të lidhur në momentin e marrjes së detyrës. Vlerësimi i punës është vjetor dhe kryhet nga drejtori i strukturës shëndetësore universitare ku shërbimi në fjalë bën pjesë.
Drejtuesi i shërbimit shëndetësor universitar mund të pezullohet dhe të shkarkohet nga detyra sipas Kodit të Punës apo për arsye të tjera të parashikuara me ligj. Pezullimi dhe propozimi për shkarkim mund të bëhen nga titullari i strukturës shëndetësore universitare. Shkarkimi bëhet nga ministri i Shëndetësisë dhe ministri i Arsimit dhe Sportit, me urdhër të përbashkët.
Në rast ndërprerjeje të parakohshme të mandatit të drejtuesit të shërbimit shëndetësor universitar, me propozim të drejtorit të institucionit mjekësor dhe rektorit të IAL-së, ministri i Shëndetësisë dhe ministri i Arsimit dhe Sportit, me shkresë të përbashkët, komandojnë në këtë detyrë një nga pjesëtarët e stafit akademik me kohë të plotë të shërbimit shëndetësor universitar përkatës. Në këtë rast, brenda 6 (gjashtë) muajve, duhet të organizohet procesi i përzgjedhjes së drejtuesit të ri të shërbimit, mandati i të cilit përfundon në të njëjtën kohë me atë të drejtuesve të tjerë të shërbimeve shëndetësore universitare të institucionit mjekësor”, thuhet në VKM.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.