“Vetting-u”, Institucioni i Komisionerëve publikë, vende vakante për 6 këshilltarë dhe 1 kancelar

Institucioni i Komisionerëve Publikë ka shpallur 7 vende vakante për plotësimin e këtij organi, në kuadër të procesit që do të zhvillohet për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ky institucion njofton se nga data 6 nëntor deri më 10 nëntor 2017 do të presë aplikimet nga të interesuarit për 4 këshilltarë ligjore, 2 këshilltarë ekonomikë dhe 1 kancelar. Këshilltarët e komisionerëve të vettingut do përfitojnë rreth 80% të pagës së titullarëve, të cilat pas rritjes me 50% për vështirësi pune, arrijnë në 453 mijë lekë në muaj.
Sipas përcaktimeve në ligj, këshilltarët ligjorë janë shtetas shqiptarë që duhet të përmbushin këto kritere:
- a) ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë “Master i shkencave” në Shqipëri ose studimet universitare për drejtësi jashtë vendit dhe ka marrë një diplomë të njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave;
- b) ka pasur një përvojë pune në sistemin e drejtësisë ose administratën publike jo më pak se 7 vjet;
- c) të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi, si dhe për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje, ose ndaj tij të mos ketë nisur një hetim penal;
ç) ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi;
- d) të zotërojë shumë mirë gjuhën angleze
Ndërkohë, për këshilltarët ekonomikë, dy pikat e para ndryshojnë si më poshtë:
- a) ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare në shkenca ekonomike, matematike ose në drejtësi me diplomë “Master i shkencave” në Shqipëri ose studimet universitare për shkenca ekonomike, matematikë ose drejtësi jashtë vendit dhe ka marrë një diplomë të njësuar
- b) ka pasur një përvojë pune në sektorin financiar jo më pak se 7 vjet;
Sa i takon pozicionit të kancelarit, kriteret përfshijnë nevojën për të pasur një diplomë masteri shkencor në Drejtësi ose në Shkenca Ekonomike, të ketë pasur një përvojë pune në nivel menaxherial dhe drejtues për jo më pak se 8 vjet. Gjithashtu, kandidati për kancelar nuk duhet të ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 viteve të fundit. Kusht është edhe të mos qenurit anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990.
Aplikimi bëhet duke dërguar jetëshkrimin dhe kopjen e dokumentave të noterizuara në adresën [email protected].
Komisioneri Publik është organi të cilit i është njohur detyra për të përfaqësuar interesin publik përgjatë kryerjes së procesit të vettingut.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.