Instituti i Vienës ul projeksionet – Shqipëria dhe Kosova rritjen më të shpejtë në rajon, ngadalësimi fillon në 2021

Shqipëria dhe Kosova do të jenë dy ekonomitë me rritjen më të shpejtë përgjatë viteve 2019-2021, thotë Instituti i Vienës për Studime Ekonomike në raportin më të fundit për ekonomitë e 23 vendeve të Europës Qendrore dhe juglindore. Sipas këtij raporti, rritja ekonomike e vendit tonë këtë vit dhe atë të ardhshëm do të jetë në 3.8%, ndërsa në 2021 do të zbresë në 3.4%. Edhe organizma të tjerë ndërkombëtare e kanë sinjalizuar këtë ngadalësim, por në asnjë rast deri në këtë nivel.
Banka Botërore ka qenë më pesimistja deri më tani, me një projeksion të fiksuar në 3.5%. Përgjatë 2019-2020, Shqipëria do të jetë ekonomia e dytë me rritjen më të shpejtë në rajon, pas Kosovës. Në 2021 ndërkohë, veç Kosovës, përpara nesh do të jetë edhe Moldavia dhe Turqia. Në krahasim me projeksionet e mëparshme të Institutit të Vienës që datojnë në mes të vitit të kaluar, projeksionet e tanishme përkthehen në një zhvlerësim të ndjeshëm. Për vitin aktual, shkurtimi fiksohet në 0.3 pikë përqindje, ndërsa për vitin e ardhshëm në 0.2 pikë përqindje.
Paçka se rezulton të jetë bashkë me Kosovën ndër dy ekonomitë me rritjen më të madhe në rajon, projeksionet e Institutit të Vienës ngrenë një farë alarmi, pasi për vitin 2021 sinjalizojnë një ngadalësim të ndjeshëm të ekonomisë. Sa i përket normës së papunësisë, raporti thotë se Shqipëria, me 11.1% këtë vit, do të ketë nivelin më të ulët në Ballkanin Perëndimor. Në 2021 kjo normë projektohet në zbresë në 10%, po ashtu niveli më i ulët në rajon. Për Kosovën ndërkohë, norma e papunësisë vlerësohet në rreth 30%, ndërsa në 2021 do të mund të zbresë vetëm në 28%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.