Integrimi i Ballkanit Perëndimor – Presidenca bullgare e KE ofron mbështetje. Prioritet lidhja me tregjet
Integrimi i Ballkanit Perëndimor, rritja ekonomike dhe përafrim sociale, janë disa nga prioritetet e Presidencës bullgare të Këshillit Europian. Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri ka prezantuar prioritetet kryesore në 6 muaj të drejtimit, ku perspektiva evropiane, stabiliteti dhe siguria, vlerësohen gjithashtu si piketat kryesore.
“Bullgaria do të punojë aktivisht për ofrimin e perspektivës së qartë evropiane për Ballkanin Perëndimor mbi bazën e plotësimit të kushteve dhe mbi parimin e arritjeve të secilit vend në realizimin e reformave kyçe në këto vende. E rëndësishme është gjithashtu lidhja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në infrastrukturë, energjetikë dhe lidhja me tregjet e BE-së”, tha Adela Pashkova, e ngarkuar me punë, Ambasada Bullgare në Tiranë.
Gjatë 6 muajve të parë të vitit 2018, Bullgaria do të kërkojë arritjen e bilancit midis prioriteteve specifike të vendeve anëtare dhe partneriteteve strategjike të BE-së për arritjen e rezultateve të dukshme mbi çështjet evropiane, rritje të qëndrueshme ekonomike dhe praninë më të fortë të BE-së në skenën botërore.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.