Integrimi në BE – Ambasadorja greke: Luftoni korrupsionin, do t’ju mbështesim

Greqia ofron mbështetje për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian me kusht që të plotësohen prioritetet kyçe të vendosura nga unioni.
Mesazhet janë dhënë nga ambasadorja greke në Shqipëri, Eleni Sourani, gjatë një leksioni të hapur me studentët e “Akademisë Profesionale të Biznesit”, lidhur me Europën dhe vlerat e saj. Ambasadorja greke ka theksuar se nëse vendi ynë ecën në rrugën e duhur, së shpejti qytetarët e tij do të jenë dhe qytetarë europianë.
“Ju do të jeni një ditë qytetarë të Bashkimit Europian. Luftoni korrupsionin, krimin e organizuar, drogën dhe çdo gjë është në dorën tuaj. Realizimi i reformave nga politika shqiptare është për ju, jo për ne. Mbështetja jonë për shtetin fqinj Shqipërinë do të jetë kurdoherë pa kushte, por duhet të plotësohen prioritetet kyçe që hapin rrugën drejt Bashkimit Europian”, u shpreh ambasadorja.
Studentët e “Akademisë Profesionale të Biznesit” kanë shfaqur interes të lartë për leksionin e ambasadores, si dhe kanë bërë pyetje edhe mbi çështje të tjera, si situata politikë në Shqipëri, zgjedhjet e përgjithshme, etj.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.