Interesat e bonove të thesarit. Vazhdon rritja e lehtë në muajin shtator
Interesat e bonove 12-mujore kanë vazhduar rritjen e lehtë në ankandin e fundit të zhvilluar në nisje të Shtatorit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, yieldi mesatar i ponderuar u rrit në 1.71%, nga 1.69% që ishte në ankandin e fundit të muajit Gusht. Interesat kishin rënë gradualisht që prej muajit Maj. Qeveria ka shitur të gjithë shumën e shpallur prej 9.5 miliardë lekësh, ndërkohë që kërkesa totale arriti në mbi 10.7 miliardë lekë, me një raport të mbulimit prej 1.13.
Raporti mes kërkesës dhe ofertës është rritur lehtë, ç’ka tregon se tregu po i përgjigjet kërkesës për huamarrje të qeverisë. Që prej shfaqjes së pandemisë në muajin Mars, defiçiti buxhetor është rritur shpejt, duke arritur në rreth 40 miliardë lekë në tremujorin e dytë. Në rishikimin e fundit buxhetor, defiçiti për vitin projektohet në 133 miliardë lekë, ekuivalent me 8.4% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.