Interesat e bonove – Tregu gjen barazpeshë pranë nivelit 2%

Interesat e bonove të thesarit regjistruan sërish një rritje të lehtë në ankandet e ditës së martë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12 mujor u shitën në ankand me një interes mesatar të ponderuar prej 2%, nga 1.95% që kishin qenë në ankandin e mëparshëm.
Ky nivel duket se tregon një lloj ekuilibri të ri që ka gjetur tregu, pas një rënieje afërsisht katërmujore, në fillim të këtij viti.
Kërkesa e tregut për këto instrumente duket ende e mjaftueshme. Nga 9.7 miliardë lekë bono të shpallura për financim nga qeveria, totali i kërkesave në ankande arriti në 11.2 miliardë lekë.
Niveli prej 2%, për momentin, duket se mund të garantojë një kthim të arsyeshëm për investitorët, në kushtet kur normat e interesit në tregjet financiare janë ende pranë vlerave më të ulëta historike.
Ekspertët presin që interesat e bonove të qëndrojnë të ulëta edhe gjatë këtij viti, në reflektim edhe të politikës monetare lehtësuese. Interesat e bonove në këto nivele nuk ushtrojnë presione për ndryshime të mëdha në interesat e depozitave dhe të kredive bankare, që priten të ngelen të ulëta edhe përgjatë vitit 2017.
Megjithatë, cikli përmirësues i ekonomisë shqiptare do të bëjë që gradualisht tendenca e normave të interesit në tregun financiar të ndryshojë, me shumë të ngjarë, duke filluar nga viti i ardhshëm.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.