Interesat e ulëta – Yield mesatar i borxhit publik ulet në 4.37%

Interesi apo kthimi mesatar i letrave të borxhit të qeverisë shqiptare regjistroi nivelin më të ulët historik për vitin 2016. Sipas Ministrisë së Financave, yield mesatar i instrumenteve të borxhit zbriti në fund të vitit të kaluar në 4.37%, nga 5.31% që kishte qenë në fund të vitit 2015.
Rënia e interesave të letrave të borxhit qeveritar është në fakt një tendencë e vazhdueshme e filluar që në vitin 2009. Politika monetare lehtësuese dhe epoka e normave të ulëta të interesit në ekonomi ka favorizuar së pari qeverinë, që është edhe agjenti më i madh huamarrës.
Ulja ka kulmuar në dy vitet e fundit, kur rënia e mëtejshme e interesave të depozitave dhe dobësia e kreditimit të sektorit privat ka ndikuar në një ulje drastike edhe në yield-et e bonove dhe obligacioneve qeveritare.
Ulja e interesave ka pasur një efekt balancues në peshën e borxhit për buxhetin e shtetit. Në kushtet kur principali i borxhit është rritur me ritme të shpejta, deri në kufijtë e 73% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, barra është lehtësuar disi nga interesat në rënie, që kanë mbajtur në nivele të kontrollueshme kostot e shërbimit të borxhit.
Paralelisht, qeveria ka vijuar zgjatjen e afatit mesatar të borxhit, për të përfituar nga interesat e favorshme dhe për të ulur rrezikun e rifinancimit. Maturiteti mesatar në fund të vitit të kaluar arriti në 753 ditë, nga 706 ditë që kishte qenë në fund të vitit 2015.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.