Interesat si “thikë me dy presa” – Qeveria paguan më pak për borxhin, por merr më pak tatime
Normat e ulëta të interesit në tregun financiar po sjellin ulje të të ardhurave në buxhet nga tatimi mbi të ardhurat personale. Sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat nga ky zë në buxhet për 7-mujorin janë realizuar në masën 95% të planit, për një total prej rreth 21 miliardë lekësh. Në analizën e vet, Ministria e Financave argumenton se deficiti i krijuar me planin lidhet e uljen e të ardhurave nga tatimi mbi interesat e depozitave të kursimit dhe bonove të thesarit, për shkak të uljes në nivele minimale të normave të interesit, si edhe nga ulja e të ardhurave nga tatimi mbi dividentin.
Normat e interesit kanë ndjekur një trajektore të re rënëse gjatë këtij viti, sidomos për titujt e qeverisë shqiptare. Likuiditeti i lartë në sistemin bankar dhe kërkesa e moderuar e qeverisë për huamarrje të re i ka zbritur interesat e bonove dhe obligacioneve në nivelet më të ulëta që nga viti 2016. Për bonot 12 mujore, interesi mesatar në ankandin e fundit zbriti në 1.65%, ndërsa për obligacionet dyvjeçare kuponi ra në 2.15%.
Normat e interesit ngelen të ulëta edhe për depozitat, por duhet thënë se ato nuk kanë pësuar ndryshime të mëdha krahasuar me vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i depozitave me afat në lekë në fund të qershorit ishte 0.9%, ndërsa për ato në euro interesi është edhe më i ulët, në nivelin simbolik 0.1%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.