Interesi i investitorëve rikthehet tek HEC-et – 3 aplikime të reja pranë MIE
Interesi i investitorëve me sa duket është fokusuar sërish në shfrytëzimin e pasurive hidrike. Pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë mbërritur tre aplikime për ndërtimin e tre hidrocentraleve me kapacitet të ulët prodhues.
Projektet e propozuara përfshijnë qarkun e Kukësit dhe atë të Shkodrës.
Shoqëria “Palushi” sh.p.k ka aplikuar pranë MIE për miratimin e ndërtimit të një HEC-i në pellgun ujëmbledhës të përroit të Bicajt, degë e lumit Drini i Zi, pjesë e Qarkut Kukës.
Ndërkohë, edhe shoqëria “Breçani-R.OS.P” sh.p.k ka shprehur interesin për ndërtimin e një vepre të tillë po në këtë qark.
Bëhet fjalë për ndërtimin e një HEC-i me kapacitet prodhues deri në 2MË në pellgun ujëmbledhës të lumit të Gashit, nga kjo shoqëri, e cila ka si objekt të aktivitetit të saj shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike të personave dhe objekteve, si dhe importimi, tregtim e instalim të mjeteve vrojtuese.
Aplikimet për ndërtimin e një hidrocentrali me kapacitet të ulët prodhues vijojnë edhe në qarkun e Shkodrës.
Shoqëria “Rodi Energy” sh.p.k, me objekt të aktivitetit prodhimin e energjisë elektrike përmes HEC-eve si dhe prodhim e tregtim inertesh ka dërguar aplikimin pranë MIE për miratimin e ndërtimit të një HEC-i të vogël në pellgun ujëmbledhës të përroit të Lumit.
Ndërkohë, nuk ka munguar interesi i investitorëve për të investuar në ndërtimin e parqeve fotovoltaike apo centraleve të erës. Vetëm disa ditë më pranë MIE kanë mbërritur dy kërkesa për ngritjen e dy impianteve eolike në Shqipëri.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.