Intervista/Gentian Selami: Sektori i duhanit ka nevojë për mbështetje financiare
Cilat janë shkaqet që sektori i duhanit po tkurret ndjeshëm dhe çfarë mund të bëhet për ta “ringjallur” atë. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Duhan Cigareve,Gentian Selami,sqaron pse ndodhemi në këtë situatë dhe se si mund të ndërhyhet që të përmirësohet si prodhimi ashtu edhe industria e duhanit.
Nga viti në vit ka një tkurrje të sektorit të duhanit në tërësi. Në këndvështrimin tuaj, cilat janë arsyet kryesore? Çfarë po ndodh me prodhimin e duhanit?
Në fakt, prodhimi i duhanit në vend nuk ka pasur rënie. Vitet e fundit, për shkak të kërkesës së kompanive, ka ndryshuar struktura e duhanit të kultivuar nga një varietet me rendiment 20 kv/ha në një varietet me rendiment 11 kv/ha, por me vlerë tregtare më të madhe.
Nëse para 3 vjetësh fermeret kultivonin varietetin “Katerini” me rendiment 20 kv/ha e shisnin me çmim 180 lekë/kg, tani kultivojnë varietetin “Izmir” me rendiment 11 kv/ha dhe e shesin me çmim 440 lekë/kg. Pra, për ne shqetesim nuk është sasia e prodhuar, por sipërfaqja e mbjellë me duhan apo numri i fermerëve që merren me këtë kulturë, i cili sigurisht ka pasur rënie.
Çfarë i ka bërë fermerët që të heqin gradualisht dorë nga një kulturë që më parë ka qenë gjerësisht e njohur dhe e kultivuar në vendin tonë?
Masat që janë ndërmarrë në luftën kundër duhanit nuk i favorizojnë fermerët duhan-kultivues dhe kanë ndikuar negativisht në kultivimin e kësaj kulture jo vetëm në Shqiperi, por edhe në bote. Shumë vende me traditë në kultivimin e duhanit kanë ulur sipërfaqet e mbjella dhe shumë fermerë kanë hequr dorë nga ai aktivitet.
Problem tjetër që ka ndikuar negativisht në heqjen dorë është se për shume vite në Shqipëri operonte vetëm një shoqëri në treg që merrej me grumbullimin e duhanit. Duke shfrytëzuar pozitën monopol, kjo shoqëri ka pasur shpesh mosmarreveshje me fermerët si me afatet e grumbullimit, me çmimet apo edhe me vlerësimin e duhanit.
Si të mos mjaftonin këto probleme, për shkak të vështirësive financiare, shoqëria nuk ka likujduar ende fermerët për duhanit që ka grumbulluar në vitet 2015-2016. Këto probleme të akumuluara ndër vite, kanë bërë që disa fermerë të heqin dorë nga kultivimi i kësaj kulture.
Ku duhet të ndërhyrjet apo cilat janë politikat duhen ndërmarrë për të tejkaluar këtë situatë?
Në fakt, ndërhyrjet kanë filluar, por ka akoma për të bërë. Ajo çka kemi bërë deri tani është se nuk ekziston më termi situatë monopol. Sot kemi disa shoqeri që operojnë në tregun e grumbullimit të duhanit dhe fermerët kanë mundësi zgjedhje. Hap tjetër që është ndërmarrë ka të bëjë me rregullimin e bazës ligjore.
Rregullimi i bazës ligjore do të ketë impakt të menjëhershëm në këtë sektor për shkak se do të zgjidhe njëherë e përgjithmonë problemet që kane lindur deri sot në marrëdheniet midis fermerëve dhe kompanive grumbulluesve.
Për të mos lejuar degradimin e kësaj kulture është duke u marrë në konsiderate edhe mbështetja financiare për fermeret duhan-kultivues. Duhet përqendrim më i madh në luftën kunder informalitetit në prodhimin dhe tregtimin e duhanit dhe produkteve të tij pasi është shkaktari i deformimit të tregut që passjell edhe degradimin apo tkurjen e sektorit.
Si jemi në raport me rajonin për hedhjen në treg të duhanit të grirë, si ndikojnë politikat fiskale?
Përsa i takon prodhimit, disa nga vendet e rajonit e mbështesin financiarisht kultivimin e duhanit duke mos lejuar në këtë mënyrë të tregtohet ne mënyrë informale. Në këtë drejtim, rajoni ka politika më favorizuese. Rritja e akcizës së produkteve të duhanit ka bere që shumë konsumatorë ta kenë të pamundur të blejnë cigare dhe kërkojnë alternativa më të lira. Si alternativë më e lirë është parë duhani i grirë apo si e njohim të gjithë duhan me dredhje ose ‘roll your own’.
Duke parë këtë tendence të konsumatorëve si dhe duke marrë në konsiderate prodhimin e duhanit në vend, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ulur akcizën për prodhimin vendas. Sot paguhet akcizë: për cigaret 5550 lekë/1000 copë (rreth 117 lekë/paketa) për duhan të grirë importi 6000 lekë/kg dhe për duhan të grirë vendi 2500 lekë/kg. Në këtë kuadër ne kemi politike shumë favorizuese për prodhimin e vendit.
SCAN Magazine/Bisedoi: Elisabeta Dosku
Lexo edhe:
Si u “dogj” industria e duhanit? Shqiptarët megjithatë vijojnë të konsumojnë 4500 ton cigare në vit
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.