Investim për kursim energjie, eksperti: Format si reduktohet fatura, shtohet informimi për biznesin
Bizneset mund të aplikojnë forma të kursimit të energjisë, duke nisur nga termoizolimi deri te vetëprodhimi i energjisë përmes instalimit të paneleve fotovoltaike. Në një pronocim për TV SCAN eksperti i energjisë, Giorgio Mustafaraj thekson rëndësinë e auditimit energjetik për të kuptuar më pas edhe format e reduktimit të konsumit, që mund të aplikohen në një ndërtesë.
Duke marrë në konsideratë faktin se prej qershorit të vitit të kaluar i është hapur rruga lidhjes së paneleve fotovoltaike me rrjetin elektrik, Mustafaraj thotë se paraprakisht duhet të përcaktohet nëse ky investim ka leverdi nga pikëpamja ekonomike.
Ndërkaq, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për investime në energji dhe ndërtim të gjelbër, pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Korçë janë vendosur edhe 2 stenda, ku çdo biznes i rajonit juglindor mund të informohet më gjerësisht mbi mundësitë që ofron legjislacioni aktual dhe format e kursimit të energjisë.
Stendat janë vendosur nga Qendra Shqiptare për Qeverisje Mjedisore, në kuadër të projektit “Iniciativa për rritjen e ndërgjegjësimit te bizneset e qytetit të Korçës mbi investime në energji dhe ndërtim të gjelbër”, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe i menaxhuar nga Qendra EDEN. Sipas vlerësimeve, panelet diellore reduktojnë tarifën e energjisë në masën 6-8 lekë/kwh, nga 14 lekë/kwh që është çmimi për bizneset.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.