Investim “Shkollës së Kuqe”, Veliaj: Kushte më të mira për 1 mijë nxënës

“Shkolla e Kuqe” në kryeqytet i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë dhe së shpejti do të ofrojë kushte më të mira mësimi për një mijë nxënësit që e frekuentojnë atë. Kryebashkiaku Erion Veliaj, inspektoi nisjen e punimeve, ku theksoi, se krahas përmirësimit të infrastrukturës, një kujdes i veçantë po i kushtohet arsimimit dhe jetës kulturore të kryeqytetit.
Veliaj u shpreh se e gjithë zona e Pazarit të Ri, e cila prek Njësinë Nr. 8 dhe Nr. 2, është kthyer në një kantier ndërtimi dhe pritet të hapet në Ditën e Verës. Projekti i rikonstruksionit të “Shkollës së Kuqe” parashikon ndërhyrje te nyjat sanitare si, hidroizolimi, shtresa dhe veshja me pllakë dhe pajisjet hidrosanitare, ribërja e shtresave hidroizoluese dhe termoizoluese në tarracë, shtrimi i pllakave, riparimi i dyerve dhe i dritareve, si dhe sistemi i ri elektrik.
Gjithashtu, po kryhet edhe rilyerja e fasadës dhe e ambienteve të brendshme, si dhe sistemimi e gjelbërimi i mjedisit të jashtëm të shkollës.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.