Investime italiane në energji – Shalsi: Përmirësim klimës së investimeve. Saglia: Treg të përbashkët

Përfaqësuesit e qeverisë shqiptare kanë ftuar investitorët Italinë, të investojnë në sektorin energjetik shqiptar, duke u fokusuar te potenciali që ofron vendi ynë në këtë drejtim, për shkak të burimeve ujore, por edhe të diellit dhe erës.
Kërkesa u bë gjatë forumit të organizuar nga Ambasada Italiane, mbi “Tranzicionin energjetik dhe sfidat e ardhshme për një treg të liberalizuar dhe të integruar elektrik”, ku merrnin pjesë përfaqësues të autoriteteve italiane, atyre shqiptare dhe grupeve të interesit. Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi foli për masat e marra në drejtim të klimës së biznesit, duke theksuar se po kërkohet përmirësimi i mëtejshëm i klimës së investimeve.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Autoritetti Rregullator Italian për Rrjetet e Energjisë, Stefano Saglia u shpreh i gatshëm për krijimin e një tregu të përbashkët energjetik, duke dhënë shembullin e interkonjeksionit që Italia ka me Malin e Zi si dhe për dhënien e asistencës teknike për krijimin e Bursës shqiptare të Energjisë
Synimi kryesor i këtij forumi ishte nxitja e harmonizimit të rregullave dhe integrimi i tregjeve me qëllim krijimin e një tregu të energjisë elektrike të sigurt, efikas dhe të integruar me tregun e përbashkët evropian, duke filluar nga zbatimi korrekt i kuadrit të ri rregullator të tregjeve evropiane të energjisë dhe gazit të parashikuara nga e ashtuquajtura Paketa e tretë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.